Ura e Slapit, që sipas studiuesve është ndërtuar në shekullin XVII, konsiderohet si monument kulture dhe duhet të mbrohej nga shteti. Ndryshe nga sa detyrohen autoritetet që të kenë në mbrojtje edhe këtë moment kulture, kjo urë është lënë në harrese.
Bashkia Selenicë ne faqen zyrtare të saj kujdeset që ta përfshijë dhe këtë urë si atraksion turistik për territorin që mbulon, por gjetja Urës së Slapit është një histori më vete.
Ura e Slapit ndodhet në afërsi të fshatit Mavrovë përgjatë rrjedhës së lumit Shushicë, por bashkia dhe asnjë autoritet tjetër nuk është kujdesur për të vendosur një tabelë informuese për turistët.
Ky monument kulture duket se është lënë në harresë, pasi edhe tabela që informon “se mbrohet nga shteti” është vështirë i lexueshëm. Ura shekullore po mbulohet nga shkurret dhe rrezikon të shembet, pasi në pjesën më të madhe të vitit një pjesë e saj ndodhet nën ujë.
Në krah të saj ndodhet një tabelë informuese e vjetëruar ku jepet një informacion si në shqip dhe në anglisht.
“Ajo është urë e tipit me një hark, me dopio qemer dhe në të dyja anët e harkut ruhet nga një kamare. Studiuesit e kanë vendosur datën e ndërtimit të urës në shekullin e XVII”, citohet në tabelën informuese.
Sipas studiuesve kjo urë kërkon ndërhyrje të menjëhershme, pasi në disa pjesë të saj edhe është dëmtuar.