Universiteti i Vlorës rishikon programet akademike: Mbyllen disa degë, studentët po e braktisin

Universiteti i Vlorës rishikon programet akademike: Mbyllen disa degë, studentët po e braktisin
Universiteti i Vlorës

Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë ka bërë të ditur për Gjurmon.al detajet lidhur me programet e studimit për vitin e ri akademik. Me vendimin e Senatit Akademik Nr. 4, datë 6 shkurt 2023, janë miratuar kriteret e pranimit për të gjitha ciklet e studimit. Për disa degë numri minimal i regjistrimeve që një degë të funksionojë do të jetë 5 studentë dhe për disa të tjera 3. Procesi i regjistrimeve për vitin 2024-2025 është ende në zhvillim dhe do të përfundojë më 25 tetor.

Ndërkohë, disa degë studimi nuk do të jenë më të disponueshme për këtë vit. Në vendimin Nr. 43, datë 8 tetor 2024, është përcaktuar mbyllja e programeve të ciklit të parë për Matematikë-fizikë, Gjuhë Italiane, dhe Gjuhësi e Aplikuar në Fushën e Turizmit, për shkak të mosarritjes së numrit minimal të studentëve të regjistruar.

Universiteti është gjithashtu në procesin e aplikimit për hapjen e programeve të reja në të ardhmen e afërt. Sipas Universitetit, vendimet për hapjen dhe mbylljen e degëve mbështeten në ligjin për arsimin e lartë dhe rregulloret përkatëse, të cilat parashikojnë numrin minimal të studentëve për aktivizimin e programeve. 

Numri i Studentëve në Vitet e Fundit

Të dhënat për regjistrimet tregojnë një trend luhatës në numrin e studentëve të Universitetit “Ismail Qemali” gjatë pesë viteve të fundit akademik:

  • 2020-2021: 4,398 studentë
  • 2021-2022: 3,973 studentë (ulje prej 425 studentësh krahasuar me vitin e mëparshëm)
  • 2022-2023: 4,236 studentë (rritje prej 263 studentësh nga viti i mëparshëm)
  • 2023-2024: 4,160 studentë (ulje prej 76 studentësh nga viti i mëparshëm)

Këto luhatje kanë ndikuar në vendimet për mbylljen e disa programeve studimore që nuk kanë arritur të përmbushin numrin minimal të studentëve të regjistruar.

Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë është një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në jug të vendit. Si një qendër e rëndësishme akademike, ai luan një rol kyç në formimin e specialistëve të rinj në fusha të ndryshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të rajonit.

Universiteti “Ismail Qemali” luan një rol të rëndësishëm në promovimin e turizmit. Duke qenë se Vlora është një destinacion i njohur turistik, universiteti ka kontribuar në përgatitjen e specialistëve në fushën e turizmit dhe menaxhimit të mikpritjes, duke ofruar programe të posaçme studimi dhe trajnime për këtë sektor. Migjithatë luhatja e studentëve që regjistrohen në këtë universitet duket të jetë një sfidë jo vetëm për universitetin por edhe Vlorën si qytet dhe rajon.

Universitetet rajonale në Shqipëri, si Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë, “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, përballen me trende të ngjashme në regjistrimet e studentëve si Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë. Këto institucione kanë përjetuar luhatje në numrin e studentëve gjatë viteve të fundit, shpesh të ndikuara nga faktorë si migrimi i të rinjve drejt qendrave më të mëdha ose jashtë vendit, interesimi i ulët për disa programe specifike dhe konkurrenca me universitetet më të mëdha.