Në vitin 2024, turizmi në Qarkun e Vlorës përjetoi një rritje e cila ishte në përputhje me bum-in më të gjerë të turizmit në Shqipëri. Gjatë gjysmës së parë të vitit, numri i vizitorëve të huaj u rrit me 34% krahasuar me vitin 2023. Kjo rritje ka sjellë përfitime ekonomike, por gjithashtu ka nxjerrë në pah sfida të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me infrastrukturën dhe mjedisin.
Zhvillimet pozitive
Qarku i Vlorës ka një numër të konsiderueshëm pronash të lidhura me turizmin. Qarku vlerësohet të ketë mbi 1,450 struktura akomodimi, përfshirë hotele, bujtina, resorte, kampingje dhe opsione të tjera strehimi për qëndrime afatshkurtra. Numri i struktuarave mund të jetë më i madh se kaq. Popullariteti i turizmit në këtë zonë ka çuar në investime të mëtejshme në akomodime të cilësisë së lartë, me projekte të reja si resorte luksoze dhe zhvillime të marinës.
Për më tepër, qarku ka bërë përparime në rritjen e pranisë së tij dixhitale, duke përdorur rrjetet sociale, blogjet e udhëtimit dhe platformat e turizmit për të tërhequr vizitorë të rinj. Ky ndryshim drejt marketingut dixhital po rezulton efektiv, pasi më shumë turistë zbulojnë destinacionin përmes kanaleve online. Ka gjithashtu një përpjekje për të zgjatur sezonin turistik përtej muajve të verës. Duke promovuar aktivitete kulturore, gastronomike dhe aktivitete në natyrë gjatë pranverës dhe vjeshtës, aktorët lokalë synojnë të reduktojnë varësinë nga turizmi i pikut të verës dhe të inkurajojnë përfitimet ekonomike gjatë gjithë vitit.
Plazhet e zonës, si ato në Ksamil, Himarë dhe Dhërmi, mbeten atraksione kryesore, duke tërhequr pushues nga vendet fqinje si Italia, Greqia dhe Kosova, si dhe një numër në rritje turistësh nga Europa Perëndimore.
Zgjerimi i kalendarit turistik duke zhvilluar atraksione për vizitorët gjatë gjithë vitit duket se po luan gjithashtu një rol kyç në strategjinë e Vlorës. Festivalet kulturore apo edhe festivalet për të rinj si South Outdoor. Vitet e fundit, Qarku i Vlorës ka shtuar aktivitete dhe atraksione për të diversifikuar turizmin dhe për të zgjeruar sezonin përtej muajve të verës.
Evente të tilla jo vetëm që i japin gjallëri sezonit të vjeshtës dhe pranverës, por gjithashtu i shtojnë një element kulturor të veçantë zonës.
Cilësia e ujërave larës është një tjetër pikë pozitive në qark megjithëse një raport i Komisionit Evropian e renditi Shqipërinë në fund të Europës me vetëm 41.2% të ujërave bregdetare të saj të klasifikuara si të shkëlqyera. Ky tregues bie në kontrast të thellë me Kroacinë, e cila ka mbi 96%, dhe Italinë, me mbi 90%. Po ashtu, Shqipëria renditet e fundit mes 27 vendeve për ujërat e brendshme, me vetëm 33% të tyre të vlerësuara si të shkëlqyera. Megjithatë duket se qarku i Vlorës qëndron më mirë se pjesa tjetër e vendit. Zonat me cilësinë më të lartë të ujërave larës janë kryesisht në jug të vendit duke përfshirë plazhin e Zvërnecit, Palasës, Jalës, Livadhes, Qeparoit, Borshit, Lukovës dhe pjesërisht Himara dhe Ksamili.
Sfidat e mëdha
Menaxhimi i ujërave është një sfidë, siç u vu në dukje nga debatet për devijimin e ujit nga Lumi Shushica për zhvillimet e bregdetit. Komunitetet lokale dhe ambientalistët kanë shprehur shqetësime se projekte të tilla mund të dëmtojnë ekosistemet dhe të ndërpresin furnizimin me ujë të nevojshëm për bujqësi, duke ngritur pyetje mbi praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm.
Pavarësisht investimeve të fundit, infrastruktura rrugore dhe transporti publik mbeten sfida. Trafiku i rënduar gjatë sezonit turistik dhe mungesa e shërbimeve të organizuara të transportit publik e bëjnë të vështirë lëvizjen e turistëve dhe banorëve. Gjatë verës, trafiku në Vlorë bëhet një sfidë e vërtetë për banorët dhe turistët. Fluksi i madh i vizitorëve që vijnë për të shijuar plazhet e mrekullueshme dhe bregdetin e bukur të qytetit krijon bllokime të gjata në rrugët kryesore, veçanërisht në hyrje-daljet e qytetit dhe në rrugën drejt rivierës së Jugut. Në fundjavë dhe gjatë muajve të pikut të sezonit turistik, lëvizja e makinave ngadalësohet ndjeshëm, duke sjellë vonesa të konsiderueshme dhe stres për drejtuesit e mjeteve. Këtë sezon ka pasur jo pak probleme me trafikun në Vlorë, Sarandë, Himarë dhe Ksamil. Radhët e gjata të makinave në trafik më shumë se sukses në ardhjen e turistëve ka treguar calimin në këtë drejtim.
Përkeqësimi i problemeve mjedisore lidhet edhe me menaxhimin e mbetjeve. Në Vlorë, djegia e mbeturinave është kthyer në një problem serioz dhe të vështirë për t’u menaxhuar, veçanërisht në landfillin e qytetit. Situata është përkeqësuar ndjeshëm, pasi shpesh aty shpërthejnë zjarre të cilat krijojnë re të mëdha tymi, duke vënë në vështirësi shërbimin zjarrfikës. Në verë zjarrfikësit punuan pa ndërprerje për të përballuar vatrat e zjarrit, megjithatë, volumi i madh i mbeturinave e bënte të vështirë kontrollin e situatës. Ekspertët sugjerojnë se zgjidhja e vetme për të shmangur përsëritjen e zjarreve në landfill është groposja e mbeturinave, pasi përpjekjet për shuarjen e zjarreve me ujë kanë rezultuar të pamjaftueshme për të menaxhuar situatën. Ndërkohë, qytetarët janë gjithnjë e më të shqetësuar për ndikimin e këtyre zjarreve në mjedis dhe në shëndetin e tyre.
Varësia nga sezoni mbetet një sfidë tjetër për industrinë e turizmit në Vlorë. Pavarësisht përpjekjeve për të diversifikuar ofertat turistike, qarku ende sheh shumicën e vizitorëve gjatë muajve të verës. Ky përqendrim sezonal ushtron presion të madh mbi infrastrukturën, përfshirë rrugët, furnizimin me ujë dhe sistemet e menaxhimit të mbetjeve, ndërsa lë ekonominë lokale me më pak mundësi të gjenerimit të të ardhurave gjatë sezonit të ulët.