Tronditet Vlora, atentati lë pas dy të plagosur. Policia gjen makinën e djegur dhe gëzhojat e plumbave

Tronditet Vlora, atentati lë pas dy të plagosur. Policia gjen makinën e djegur dhe gëzhojat e plumbave

Një atentat i mirë menduar ka tronditur qytetin e Vlorës mbrëmjen e së mërkurës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “24 Maji”, ku dyshohet se nga një automjet në lëvizje që është qëlluar me breshëri plumbash 30-vjeçari Kevin Hajrulla.

Si pasojë e plumbave, ky i fundit është plagosur rëndë dhe tashmë ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar. Por plumbat kanë kapur dhe një tregtar aty afër, i identifikuar si Armand Spahiu, i cili ka marrë një plumb në këmbë.

Policia ka mbërritur në vendngjarje pak minuta pas ngjarje, por ka arritur që të gjejë vetëm gëzhojat e plumbave. Ndërkohë disa kilometra larg vendit të atentatit, uniformat blu kanë gjetur dhe një mjet të djegur, që dyshohet se u përket autorëve, ku brenda tij janë konstatuar dhe dy kallashnikovët e përdorur në krim.

Vetë drejtuesi i policisë së qarkut Vlorë, Elidon Çela, që ishte i pranishëm në vendngjarje, në një deklaratë për media pohoi se autorët pasi kanë kryer atentatin janë larguar në drejtim të autostradës Levan Vlorë teksa në afërsi të fshatit Panaja kanë djegur makinën e llojit “Kia”, por deri më tani nuk dihet identiteti i tyre.

NJOFTIMI I POLICISË:

Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi K. H., rreth 30 vjeç,  i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi A. S., 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes.

Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.