Trafiku gjatë fundjavës në Vlorë është kthyer në një problem shumë shqetësues për të gjithë turistët që duan të kalojnë disa dite pushimi në këtë qytet.
Praj javësh tashmë trafiku në fundjavë vetëm është shtuar, ku edhe punimet në transballkanike nuk kanë arritur të zgjidhin këtë problem. Vendosja e barrierave për të disiplinuar kalimin pa kriter të këmbësorëve, duket se nuk ka qenë i vetmi problem për shkaktimin e trafikut.
Siç mund të shihet dhe nga pamjet, hyrja e qytetit bregdetar, por edhe të gjitha rrugët e qytetit të cilat të çojnë drejt bregdetit, janë pushtuar nga trafiku.
Trafiku i automjeteve fillon prej hyrjes së qytetit në orët e para të mëngjesit, duke vazhduar më pas në aksin Transballkanike, rrugën “Kosova”, por edhe më pas në Lungomare apo aksin Vlorë–Radhimë–Orikum.
Për të përshkuar gjithë rrugën nga hyrja e qyteti deri në Orikum në fundjave të duhet më tepër se 1 orë, kur kjo distancë në kohë normale kryhet për më pak se 30 minuta.
Shpesh është premtuar zgjidhje, ku një prej problematikave që shkakton këtë trafik është edhe parkimi pa kriter, por ende zgjidhja duket larg, ndaj turistët por edhe vetë qytetarët e Vlorës do duhet të vuajnë edhe në temperaturat e nxehta këtë trafik.