Vlora nuk gjen qetësi. Pas shuarjes së vatrës së zjarrit në fushën e mbetjeve në orën e mbrëmjes së të enjtes, flakët dhe tymi janë shfaqur sërish.
Gjatë së shtunës vend depozitimi i mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës është përfshirë sërish nga flakët, por zjarri është shuar disa orë më vonë pas ndërhyrjes së zjarrfikëseve në Vlorë.
Siç shihet dhe nga pamjet, tymi është përhapur kudo, duke u kthyer në një shqetësim për banorët. Qytetarët që jetojnë në lagjet afër fushës së mbetjeve, shprehen se kjo problematikë është shumë shqetësuese dhe zëri i tyre nuk është dëgjuar.
Vatra e zjarrit e shfaqur të shtunën, është e treta brenda jave, por një situatë e përsëritur nëse kujtojmë dhe situatën e paprecedentë gjatë muajit gusht ku flakët ishin aktive për disa ditë me radhë.
Problemi që nuk po gjen zgjidhje
Pavarësisht se shqetësimi i banorëve është adresuar edhe në Bashkinë Vlorë, ky institucion duket se është dorëzuar për këtë situatë.
Pas zjarrit masiv në muajin korrik dhe gusht, kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, gjatë një mbledhje të këshillit bashkiak është shprehur kështu: “Me kapacitetet që kemi, është e pamundur të menaxhohej, pasi ka pasur edhe erë. Tymi ishte dhe për shkak të kushteve klimatike. Bëmë dhe takim urgjent me Prefektin, DEC, kemi pasur ndihma. Lufta ka vazhduar prej 3 ditësh. Tymi ka qenë prezent. Meqenëse s’kemi zgjidhje për momentin. Procedurat për landfilldin, nuk janë në dorën tonë. Nuk është çështje, duam apo s’duam ne, ka ca hallka”.