Një nismë ligjore e depozituar në Kuvend nga deputeti socialist, Blendi Klosi, synon që të shtrijë amnistinë nga tatimi mbi fitimin edhe për ato biznese që do të përfitojnë statusin special për hotele ose resorte me katër dhe pesë yje deri në dhjetor të vitit 2026.
Projektligji që mban firmën e Klosit është dorëzuar në dhjetor dhe propozohet se “Entitetet që operojnë në struktura akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një markë tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht ‘brand name’, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat korporative për një periudhe 10- vjeçare, për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026”.
Sipas draftit, efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.
Klosi në relacionin shoqërues, argumenton se kjo nismë ligjore synon “incentivimin e sektorit të turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale për hotelet dhe resortet”.
Kjo është nisma e radhës e socialistëve për të lehtësuar sa më shumë investitorët stratëgjikë në fushën e turizmit.
Kompanitë që përfitojnë statusin e investitorit staregjikë, përfitojnë një sërë lehtësirash të tjera fiskale si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës si dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, TVSH në masën 6%.
Paralelisht me propozimin e Klosit, në Kuvend po shqyrtohet edhe nisma e një deputeteje tjetër socialiste për shtyrjen e afatit për ligjin e investimeve strategjike.