Pasojat e përmbytjeve në Vlorë janë ende prezente në disa rrugë, ku balta vijon të jetë prezente. Dy ditë pas situatës apokaliptike Dega e Partisë Demokratike në Vlorë depozitoi një kallëzim në prokurori për të hetuar përgjegjësit, por mësohet se organi i akuzës ende nuk ka nisur hetimet.
Hetimet duket se do t’i kryejë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas informacioneve, mësohet se një grup auditimi i KLSH prej disa ditësh ka zbarkuar në Bashkinë e Vlorës dhe në Shoqërinë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizime.
Bëhet me dije se audituesit po ‘kalojnë në sitë’ dokumentet e tenderëve e viteve të fundit, nëse ka pasur shkelje në kontratat e mirëmbajtjes së kanalizimeve.
Banorët nga ana tjetër ankohen se përmbytjet nuk kanë ardhur për shkak të reshjeve të shumta, por se kanalet ishin bllokuar.
Nuk ka ende një bilanc të dëmeve, por grupet e vlerësimit prej ditësh kanë dalë të terre dhe është premtuar nga qeveria dhe bashkia se banorët do kompensohen për banesat e dëmtuara, ndërsa bizneset po ashtu.