“Skema e favorizimit të oligarkëve në Vlorë”, Këshilltari Brahimi denoncon standardin e dyfishtë të bashkisë

“Skema e favorizimit të oligarkëve në Vlorë”, Këshilltari Brahimi denoncon standardin e dyfishtë të bashkisë

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Vlorës, u diskutua një projektvendim për kalimin e një prone shtetërore në pronësi të bashkisë, me arsyetimin se ka interes nga kompani private për ta zhvilluar atë territor. Ky proces, sipas këshilltarit Besmir Brahimi, nuk është as i pari dhe as i fundit në një seri vendimesh që favorizojnë hapur oligarkët e lidhur me pushtetin, në dëm të qytetarëve të zakonshëm.

Brahimi ngriti alarmin mbi atë që ai e quajti një “precedent të përsëritur dhe të dyshimtë“, ku prona publike transferohet për t’u dhuruar më pas kompanive të fuqishme private, të cilat ndërtojnë resorte luksoze dhe kulla buzë detit.

Sipas tij, ky është një skenar tashmë i provuar në Vlorë, ku projekte si “Vlora Marina” në Skelë janë kthyer në simbole të betonizimit dhe përjashtimit të qytetarëve vendas nga e drejta për të përfituar nga zhvillimi i qytetit të tyre.

Brahimi theksoi se të njëjtat institucione që favorizojnë oligarkët, injorojnë të drejtat e qytetarëve të zakonshëm për të legalizuar dhe zhvilluar pronat e tyre. Ai solli si shembull banorët e Lagjes “1 Maji”, zona e Kume, të cilët prej vitesh përballen me refuzime dhe pengesa burokratike për të marrë dokumentacionin pronësor të tokave ku jetojnë dhe punojnë prej shume dekadash.

Ai i bëri thirrje institucioneve që të tregojnë të njëjtin vullnet politik për t’i dhënë qytetarëve të thjeshtë mundësinë të zhvillojnë pronat e tyre.

Vendimmarrje të tilla kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi drejtimin që po merr zhvillimi i Vlorës dhe mbi atë se kush po përfiton realisht nga resurset dhe potenciali i qytetit. Megjithatë ditën e djeshme nuk u miratua dot ky projektvendim, pasi vetëm 25 socialistë ngritën kartonat jeshil, 2 absetuan dhe 9 këshilltarët e opozitës votuan kundër.