Gjendja e kuzhinës së kopshtit shtetëror në Delvinë është “për të vënë duart në kokë”. Kuzhinierja e këtij koptisht denoncon se nuk ka tenxhere, tepsi, pjata e pirunj. Madje, edhe pjesët e tjera si soba, lavamani apo frigoriferi nuk janë të përshtatshme për gatimin e vakteve për të paktën 40 fëmijë.
Kuzhinierja ka bërë një denoncim në emisionin Fiks Fare, e cila tregon gjendjen e koshtit. Sipas saj, “s’ka enë kuzhinë, tenxhere, tepsi, tiganë, pjata e çdo gjë tjetër”, pavarësisht se në atë kopësht janë 40 fëmijë, por për t’u servirur tre vakte, mëngjesin, drekën dhe pasditen ajo e ka shumë të vështirë. Ajo thotë se kopshti ka qenë egzistues, ndërkohë që me drekë u hap me shpejtësi në muajin dhjetor 2022. Por, kuzhina s’kishte asnjë kusht dhe ajo është vetëm për të gatuar, pastruar dhe larë enët.
“Ja shikoni, s’ka asnjë gjë këtu. Unë kam marrë tenxheret e mia nga shtëpia, këtu ishte vetëm një. Më vinte keq për fëmijët ndaj i mora. Këtu s’është vënë dorë, as kuzhina dhe as respiratori. Është vetëm një sobë e vogël dhe një frigorifer i vogël. Të paktën ushqim ka, por e kam shumë të vështirë që t’u shërbej. Kam bërë disa ankesa në drejtori, te drejtoresha Alma Serjani, por deri më tani asnjë gjë.Kam shkuar te ish-kryetarja e Bashkisë Delvinë, ajo që e hapi kopshtin me drekë. Më mbanin me shpresa kot, jo do e bëjmë, por deri tani asnjë gjë. Kam shkuar dhe te kryetari aktual, por deri tani s’kanë marrë masa”, thotë Dhurata.
Në momentin që Fiksi po xhironte kuzhinën, vjen drejtoresha e kopshtit Alma Serjani, e cila i drejtohet Fiksit të mos xhirojë dhe se do interesohet nëse do japë informacion. Fiksi e pyet disa herë se përse është lënë në këtë gjendje kuzhina, teksa Dhurata e ka të pamundur të gatuajë në këto kushte për fëmijët. Ajo thotë se janë bërë disa kërkesa në Bashki dhe “na kanë thënë që vitin tjetër do e bëjnë kuzhinën”. Fiksi i thotë se situata nuk pret, pasi fëmijët duhet të ushqehen përditë, teksa ajo thotë se këtë problem e ka çuar te bashkia dhe i kërkon grupit të Fiks Fare të mos xhirojë.
FIksi shkon në Bashkinë e Delvinës, ku bisedon me Ersi Hamitin, shefin e Kabinetit në Bashkinë e Delvinës. Zyrtari i bashkisë thotë se e di gjendjen dhe se e kanë parashikuar për të ndërhyrë në kuzhinë. Fiksi i bën me dije se një kuzhiniere s’mund të ushqejë 40 fëmijë në ato kushte, teksa ai shton se “aty i kemi fëmijët të gjithë dhe kanë ndërhyrë edhe si prindër për të rregulluar kuzhinën”.
Fiksi e pyet se kur do të ndërhyhet, teksa shefi thotë se si drejtoresha dhe kuzhinierja kanë kërkuar që të ndërhyhet, por për shkak të të ardhurave të vogla të bashkisë, investimi është shtyrë. Në fund, Shefi i Kabinetit thotë se bashkia ka kontaktuar disa donatorë dhe punimet do të fillojnë javën tjetër dhe do të përfundojnë për 2 muaj. Ndërkohë, megjithëse kaluan disa javë nga filmimet e Fiksit, në atë kopsht s’ka filluar asnjë punë!/Top Channel