Situata alarmante – Lumi Vjosa po ndotet çdo ditë, ujërat e zeza derdhen në të

Situata alarmante – Lumi Vjosa po ndotet çdo ditë, ujërat e zeza derdhen në të

Në 13 Mars 2023 lumi Vjosa, i konsdieruar si lumi i vetëm i egër në Evropë u shpall park kombëtar. Ky vendim i qeverisë shqiptare përveç se shpëtoi Vjosën nga HEC-et, synonte që ta shpëtonte edhe nga ndotja.

Jo vetëm lumi Vjosa por edhe degët e tij, Shushica dhe Drinos, do të shpëtonin nga ndotja dhe bashkë me të bëjnë pjesë në Parkun Kombëtar. Por duket se gjithçka ka mbetur vetëm në letër. Lumi Vjosa dhe degët e tij po vijojnë të ndoten, pasi ujërat e zeza derdhen në të.

Gjurmon.al po ju sjell pamjet e ditëve të fundit nga lumi Vjosa, në afërsi të fshatit Novoselë, ku duket qartë se ujërat e zeza derdhen në të. Novosela dhe fshatrat rreth saj, por edhe zona të tjera që preken nga lumi Vjosa vijojnë të mos kenë impiante të ujërave të zeza, duke ndotur kështu lumin e parkut kombëtar.

Poshtë urës së vjetër të Mifolit gjendet sot një prej tubacioneve më të rëndësishme të kanalizimeve, të ujërave të zeza që derdhet në det. Madje prej tubacionit deri në lumin Vjosë, është krijuar një rrjedh natyrale në një prej tokave bujqësore, duke e përhapur më parë ndotjen në mjedis dhe më pas duke e derdhur në Vjosë.

Gjurmon.al ka vëzhguar situatën edhe në zona të tjera në Vjosë dhe në degën e saj, Shushicën, ku ndotja vijon si më parë. Kjo situatë tregon qartë se shpallja park kombëtar është bërë vetëm në letër, pasi në realitet nuk ka ndryshuar asgjë.

Lumi i vetëm i egër në Evropë, duket se është zbutur shumë, pasi askush nuk reagon për këtë situatë alarmante.