Kjo video që shihni është xhiruar të shtunën (4 prill) në Qytetin e Vlorës. Ndodhemi në rrugën “Pelivan Leskaj”, aks për të cilin kemi raportuar për problematika të tjera, si dëmtimi i trotuareve apo çarja e asfaltit disa herë me radhë.
Këtë herë po ju sjellim pamjet se si shpërdorohet uji në qytetin e Vlorës, ku për orë e orë të tëra uji nuk shkoi në rubinetet e familjeve vlonjate, por u derdh në rrugë.
Çarja e një tubi duket se ka sjell këtë situatë, por reagimi i autoriteteve nuk ishte i duhuri. Gjurmon.al e ka monitoruar për disa orë me radhë prej mëngjesit të së shtunës deri në orët e pasdites dhe situata ishte e njëjtë, uji që derdhej e mbushte rrugët.
Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në unazën e qytetit gjatë javës së shkuar, por në këtë rast autoritetet reaguan në kohë dhe ka nisur puna për rregullimin e problemit.