Sërish zjarr në fushën e mbetjeve në Vlorë

Sërish zjarr në fushën e mbetjeve në Vlorë

Situata në fushën e mbetjeve urbane në Vlorë nuk po gjen zgjidhje. Pas tre zjarreve që ranë gjatë javës së shkuar, sërish këtë të premte flakët kanë mbuluar një pjesë të fushës me mbetje urbane.

Për orë me radhë janë djegura qindra ton plehra, ky tymi ka mbuluar gjithë zonën. Gjurmon.al ka raportuar edhe javën e shkuar për këtë problem, por zgjidhja nga autoritetet duket larg.

Zjarri edhe këtë herë mendohet të jetë i qëllimshëm, por Policia e Vlorës nuk ka vënë asnjë qytetar para përgjegjësisë për këtë katastrofë mjedisore.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, i cili bën përgjegjës Kryeministrin Edi Rama.

“Edi Rama e ka kthyer Vlorën në ‘kryeqytetin’ e plehrave, zjarrit e tymit! Fusha e mbetjeve në Vlorë është kthyer në ‘makth’ për qytetarët, pasi tymi kancerogjen pas djegies së plehrave, mbulon një pjesë të madhe të qytetit”, shkruan Shehi në mediat sociale.