Rrugët e brendshme të qytetit të Vlorës po përballen me një gjendje të rënduar për shkak të ndërhyrjeve të shumta të pakontrolluara në infrastrukturë dhe mungesës së riparimeve cilësore. Ndërhyrjet e shpeshta nga projekte të ndryshme, përfshirë kanalizimet, rrjetin e energjisë elektrike dhe të internetit, kanë dëmtuar rëndë asfaltin, duke e lënë të çarë dhe të arnuar në mënyrë të përkohshme. Banorët dhe drejtuesit e mjeteve po përballen çdo ditë me vështirësi të mëdha në lëvizje, ndërsa rreziku për aksidente është rritur.
.
Sipas qytetarëve, gjendja e rrugëve ka ndikuar jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në imazhin e qytetit si destinacion turistik. Dëmtimet e mëdha të rrugëve, me gropa dhe çarje të thella, janë bërë burim aksidentesh të shpeshta, sidomos gjatë periudhave me reshje, kur uji mbulon dëmtimet dhe i bën të padukshme për drejtuesit e mjeteve.
Ndërhyrjet shpesh kryhen në mënyrë të pjesshme ose lihen pas dore, duke e bërë të vështirë rikuperimin e plotë të asfaltit dhe të rrugëve të brendshme.
Ndërhyrjet në infrastrukturën e Vlorës po shkaktojnë shqetësime për banorët, pasi shumë trotuare dhe rrugë po dëmtohen nga projektet e ndryshme për instalimin e rrjetit të energjisë elektrike drejt portit. Për këtë qëllim janë angazhuar 665 milionë lekë, një shumë e konsiderueshme, por ndërkohë janë dëmtuar trotuaret, rrugët dhe hapësirat e tjera publike.
Sipas të dhënave, kompania zbatuese e projektit kishte për detyrë ta përfundonte punën dhe të kthente rrugët në gjendjen fillestare deri më 8 gusht, por punimet vijojnë të lënë pas dëmtime të konsiderueshme. Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e bashkisë për të monitoruar zbatimin e kontratave dhe rikthimin e qytetit në gjendjen e tij të mëparshme.