Rruga Kuç-Qeparo vijon të bllokohet nga rënia e gurëve pas çdo shiu, problemi nuk po merr zgjidhje të përhershme

Rruga Kuç-Qeparo vijon të bllokohet nga rënia e gurëve pas çdo shiu, problemi nuk po merr zgjidhje të përhershme

Rruga Kuç-Qeparo, e cila ka shkurtuar distancën mes fshatrave të lumit të Vlorës dhe fshatrave të Himarës, duket se në muajt e dimrit po bëhet problem për kalimin e mjeteve.

Pas çdo shiu rruga bëhet e pakalueshme, ose kalimi bëhet me shumë kujdes pasi masivët gurëve që bien nga shpatet e maleve bllokojnë qarkullimin normal të mjeteve.

Kjo situatë prej muajsh është e njëjtë, por autoritetet deri më tani janë mjaftuar vetëm me pastrimin e gurëve pas stuhisë. E njëjta situatë ka ndodhur edhe gjatë kësaj jave, ku reshjet e shiut shkaktuar dhe rënien e gurëve në disa pjesë të aksit Kuç-Qeparo.

Rruga u bllokua plotësisht për më shumë se një orë, por frika se mos shkëputen gurë të tjerë nga mali vijon të jetë ende prezentë.

Siç do herë tjetër, kur ky segment bllokohet, edhe pas këtij incidenti u desh ndërhyrja e mjeteve të bashkisë së Himarës si dhe zjarrfikësit për largimin e gurëve nga rruga, e cila u bë e kalueshme.

Pas zhbllokimit të rrugës në këtë zonë është vendosur edhe një patrullë policie për monitorimin e situatës, për të njoftuar edhe drejtuesit e mjeteve nëse rruga është plotësisht e hapur apo duhet kujdes për të kaluar në të.