Rruga e drunjtë që lidh bregun me Manastirin e shekullit XIII në ishullin e Zvërnecit, një nga destinacionet më të vizituara turistike në jug të Shqipërisë, ndodhet në gjendje të rënduar dhe paraqet një rrezik të përditshëm për mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.
E ndërtuar mbi lagunën e Nartës, kjo urë ikonike prej druri, e cila ofron një pamje mbresëlënëse drejt manastirit, ka pësuar dëmtime të shumta, me dërrasa të çara, pjesë të çmontuara dhe mungesë të mirëmbajtjes bazë.
Banorët e zonës dhe guidat turistike shprehen të shqetësuar, duke theksuar se rruga është kthyer në një burim potencial incidentesh, veçanërisht në sezonin e verës kur fluksi i turistëve rritet ndjeshëm.
Pavarësisht rëndësisë kulturore dhe turistike të këtij monumenti të trashëgimisë, institucionet përgjegjëse duket se nuk kanë marrë masa për rehabilitimin e infrastrukturës, duke lënë një nga simbolet më të bukura të Vlorës në mëshirë të kohës.