Rrëshqitjet e tokës në Kocul rrezikojnë banesat, banorët në ankth për jetën dhe pronën

Rrëshqitjet e tokës në Kocul rrezikojnë banesat, banorët në ankth për jetën dhe pronën

Një situatë alarmante po zhvillohet në një lagje të fshatit Kocul, pjesë e Bashkisë Selenicë, ku rrëshqitjet e dheut kanë vënë në rrezik disa banesa, duke i detyruar banorët ose të largohen ose të qëndrojnë me frikë.

Ekipi i Gjurmon.al ka komunikuar me disa prej banorëve, të cilët shprehin frikën dhe pasigurinë për të ardhmen e tyre.

“Vendi ka shkarë i tëri, asnjë s’ka vënë dorë, gjithmonë kanë ardhur. Ne jemi në qiell të hapur. Biem në darkë me frikë. Na ngeli mistria në dorë. Të çara ka plot. Kemi bërë edhe kërkesë në bashki. Asnjë gjë s’kanë thënë. Kanë ardhur kushedi se sa herë. Vendi është i pabanueshëm. Ka shkarje toke. S’kemi mundësi të ikim se s’kemi ku”, tha një prej banorëve.

Sipas dëshmive, çarjet në tokë janë bërë gjithnjë e më të thella, duke shkaktuar plasaritje në disa prej shtëpive dhe duke i bërë ato të pabanueshme.

“Akoma është shtëpia në lëvizje. Të tërë që kanë ardhur thonë ikni juve. Po ku të vete? Muret ranë të tëra. Është deformuar shtëpia. Po na la zoti që të jetojmë do jetojmë. P0 s’na la le të më zëjë mua se unë e kam kaluar jetën”, tha një tjetër banore e moshuar e Koculit.

Deri më tani, nuk ka asnjë masë konkrete për strehimin e këtyre familjeve, ndërsa situata sa vjen dhe rëndohet me lëvizjen e tokës. Banorët bëjnë thirrje për ndihmë emergjente, ndërhyrje nga institucionet përkatëse dhe një zgjidhje të qëndrueshme për të shmangur një tragjedi të mundshme.

Gjurmon.al do të vijojë të ndjekë nga afër këtë situatë dhe të sjellë më shumë informacion mbi veprimet që do të ndërmerren nga autoritetet.