Situata meteorologjike në Vlorë është përkeqësuar ndjeshëm gjatë kësaj të premteje. Era e fortë dhe reshjet e shiut kanë shkaktuar dhe dëmet e para.
Problem mbetet edhe lundrimi në det, pasi për shkak të erës së fortë është ndaluar lundrimi i varkave të vogla dhe atyre të peshkimit. Fuqia e detit në det të hapur shkon deri në 8 ballë ndërsa në gji 6 ballë.
Si pasojë e erës së fortë, në disa fshatra në bashkinë Vlorë dhe atë Selenicë ka mungesë energjie që prej orëve të mëngjesit.
Probleme me energjinë elektrike ka pasur edhe në qytetin e Vlorës, ku banorë të lagjeve të ndryshme janë ankuar.
Sipas informacioneve, mungesa e energjisë është kryesisht për shkak të rrjetit elektrik të vjetruar dhe të papërshtatshëm për t’u përballur me këto kushte atmosferike të rënda.
Parashikimi i motit tregon një panoramë të zymtë, pasi reshjet e shiut dhe era do të vijojë edhe në mbrëmje, ndërsa përmirësimi do të shihet në fundjavë.