Vetëm 28 km nga Vlora, qytetit prezantues i turizmit bregdetar të jugut, shtrihet Selenica, një qytet që sot duket se jeton në heshtje. E njohur dikur si një zonë e populluar dhe plot gjallëri, Selenica sot duket se është një pasqyrë e ndryshimeve shoqërore dhe demografike që nuk kanë kursyer edhe në këto anë.
Në qendër të qytetit, ku dikur organizoheshin aktivitete kulturore dhe artistike, sot ndodhet një godinë e braktisur dhe e shkatërruar. Muret e plasaritura të ish-qendrës kulturore duken si një metaforë për një komunitet që dikur ishte aktiv, por që tani përpiqet të ruajë identitetin e tij mes rrënojave.
Një shatërvan në qendër, i mbuluar nga pluhuri dhe mosfunksionimi, qëndron si një simbol i braktisjes.
Sot, statujat dhe memorialet janë një kujtim i heshtur për banorët, shumica e të cilëve janë të moshuar.
Rrugët e Selenicës dominohen nga të moshuarit. Të rinjtë mungojnë, duke zgjedhur të emigrojnë në qytete të mëdha ose jashtë vendit, në kërkim të një jete më të mirë.
Peizazhi i qytetit plotësohet nga një bar bufe sipas modelit të vjetër, por brenda saj mungojnë klientët. Dy ose tre kafene në qendër arrijnë të tërheqin pak gjallëri me ndonjë të ri që qëndron aty për të kaluar ditët jo fort me energji të Selenicës. Atmosfera duket e ngrirë në kohë.
Numri i banorëve ka rënë ndjeshëm. Aktualisht, Selenica numëron 2235 banorë, krahasuar me kohët e dikurshme kur popullsia ishte shumëfish.
Në prag të festave, këto ditë fillimdhjetori bredhi i Vitit të Ri në qendër të qytetit qëndron pa drita dhe pa dekorim.
Selenica sot është një qytet që jeton mes kujtimeve dhe harresës. Megjithë mungesën e gjallërisë, banorët mbajnë shpresën që një ditë kjo zonë do të gjejë frymën e saj të dikurshme, duke kthyer sërish rininë dhe shpresën për të ardhmen.