Një raport i publikuar së fundmi nga Avokati i Popullit pas inspektimeve në spitalet psikiatrike të Shqipërisë, evidenton një sërë problematikash të rëndësishme që prekin cilësinë e trajtimit dhe kushtet e personave me probleme të shëndetit mendor.
Ky raport flet për mungesë infrastrukture të papërshtatshme, mbikapacitet dhe stafi i papërgatitur. Më tej nënvizohet nevoja për një buxhet më të madh drejt këtyre institucioneve.
Inspektimet janë kryer në disa institucione, përfshirë spitalet psikiatrike në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Tiranë, si dhe në institucionet e veçanta për të burgosurit në Lezhë dhe Tiranë.
Problematikat Kryesore: Kushte të papërshtatshme infrastrukturore: Spitalet psikiatrike në Vlorë, Elbasan, Shkodër dhe Tiranë vazhdojnë të përballen me mungesa të theksuara në kushtet strukturore për trajtimin dhe rikuperimin e pacientëve.
Stafi i pamjaftueshëm dhe i papërgatitur: Ka nevojë urgjente për shtim të mjekëve psikiatër, infermierëve dhe stafit ndihmës, si dhe për trajnime të posaçme për menaxhimin e pacientëve me çrregullime të rënda mendore. Mungesa e pavijoneve të posaçme: Pacientët abuzues me substanca narkotike nuk kanë hapësira të dedikuara për trajtim specifik.
Avokati i Popullit ka propozuar një sërë masash për përmirësimin e situatës, duke përfshirë: • Rikonstruksionin e plotë të ndërtesave spitalore dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore (ngrohje, dushe, tualete). Pajisjen e spitaleve me mjete kufizimi mekanik dhe riorganizimin e pavijoneve për pacientët akutë. Vendosjen e sistemeve të monitorimit me kamera në ambientet e përbashkëta për rritjen e sigurisë. Krijimin e pavijoneve të posaçme për personat me çrregullime të lidhura me abuzimin me substanca narkotike. Shtimin e kuotave për specializantë në psikiatri dhe rritjen e stafit klinik dhe ndihmës.