Punimet për ujësjellësin e ri në Vlorë duket se po shkaktojnë dëme të shumta në rrugët e qytetit. Gjurmon.al ka raportuar disa herë për këtë problematikë dhe shqetësimin e banorëve, të cilët ankohen se po u dëmtohen makinat nga kanalet që janë krijuar në pothuajse të gjitha rrugët, ku është ndërhyrë për linjën e re të ujësjellësit.
Në disa prej lagjeve, duket se problemi po merr zgjidhje por ende në disa rrugë kanalet janë të hapur. Situatë e tillë është edhe në vendin e quajtur “kthesa e Kaninës”, ku në mes të rrugës prej javësh vijon të qëndrojë i hapur një kanal.
“Po dëmtojmë makinat, kur është ditë me shi dhe nuk duket kanali është më keq”, tregoi një shofer që kaloi në momentin kur Gjurmon.al po shkrepte fotot.
Autoritetet ditët e fundit janë kujdesur për të hedhur pak çakëll për të mbushur kanalin, por sërish situata vijon të jetë po njësoj.