Qeveria shqiptare pas një procesi jo transparentë, ku pretendon se ka realizuar 1300 konsultime dhe kanë marrë pjesë 65 mijë prindër në të gjitha shkollat e vendit, ka vendosur që të mbyll rrjetin social TikTok për një vit.
Ku vendim u prezantua të shtunën nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu dhe Kryeministri Edi Rama, gjatë një aktiviteti ku u prezantua i ashtuquajturi “Plani i Ri i Veprimit”.
Sipas qeverisë ky plan synon të forcojë masat kundër dhunës, bullizmit, dhe kërcënimeve digjitale, duke ndërtuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për fëmijët. Manastirliu gjatë prezantimit të këtij plani tha se synohet veprim në katër drejtime kryesore dhe për hartimin e tij është bërë një konsultim i gjerë publik.
“Plani i Ri i Veprimit që prezantojmë sot është një iniciativë ambicioze që reflekton përgjegjësinë tonë të përbashkët si shtet, si institucione, si prindër dhe si qytetarë. Në të kemi përfshirë gjetjet dhe rekomandimet nga konsultimet e kryera, rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Prindërve, dhe ekspertiza e shoqërisë civile dhe ndërkombëtare, ka qenë një pjesë kyçe e hartimit të tij. Përmes tij synojmë adresimin e çështjeve që lidhen me dhunën, bullizmin, sigurinë online dhe rritjen e mekanizmave të parandalimit, në funksion të sigurisë në shkolla dhe reduktimin, deri në eliminim, të fenomeneve të çdo forme dhune brenda shkollës. Ky plan është ndërtuar mbi katër shtylla kryesore: siguria fizike dhe digjitale, rrjetet e mbështetjes psikosociale, edukimi dhe ndërgjegjësimi dhe koncepti i shkollës së hapur”, u shpreh ministrja.
Më tej detajoi vendimet konkrete për përmirësimin e sigurisë në shkolla, duke theksuar se në to përfshihet edhe bllokimi i platformës TikTok.
“Në një kohë kur sfidat teknologjike janë të pashmangshme, siguria fizike dhe digjitale është prioritet. Për rritjen e kësaj sigurie kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentash që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI. Po ashtu, do të vendosim kamera inteligjente përmes projektit ‘Smart City’, duke siguruar një monitorim më efektiv brenda shkollave dhe perimetrit të tyre. Në dy vitet e ardhshme do të dyfishojmë numrin e oficerëve të sigurisë, duke arritur në 500, dhe do të ngremë një strukturë të dedikuar brenda drejtorive arsimore për të koordinuar detyrat e oficerëve të sigurisë dhe bashkëpunimin me njësitë lokale të mbrojtjes së fëmijëve”, vijoi ministrja.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se Qeveria do të mbyllë Tik Tok për një vit, pasi sipas tij, aty shikon lloj lloj perversiteti dhee rrugaçërie.
“Brenda pak kohësh, të gjitha shkollat do kenë programe smart. Ky është një program që do të nisë të implementohet. Do mundësojmë që prindërit ta kenë në video fëmijën e vet dhe për çdo problem, drejtoria do kenë mundësi fëmijët me prindërit.
Është shumë më i fortë, shumë më ndikues, shumë më tërheqës ai rrugaçi i lagjes që e ka në telefon që quhet TikTok. TikToku është rrugaçi i lagjes. Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një 1 vit. Rrugaçë, perversitete, llum e qenëri, çfarë nuk sheh në Tik Tok-un e Kinës”, tha Rama.