Pylli që rrethon Kalanë e Kaninës i mbushur me plehra, bukuritë e natyrës po dëmtohen nga njeriu

Pylli që rrethon Kalanë e Kaninës i mbushur me plehra, bukuritë e natyrës po dëmtohen nga njeriu

Kalaja e Kaninës ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës, në një kodër me lartësi 380 m mbi nivelin e detit, në afërsi të fshatit kaninë. Kalaja është shpallur monument i trashëgimisë kulturore i llojit “Arkeologji”, në vitin 1948. Muri rrethues është i gjatë 1 kilometër dhe përfshin një sipërfaqe prej 3.6 hektarë.

Kjo kala vizitohet nga mijëra turistë në vit, por duket se jo të gjithë mbesin të kënaqur. Mirëmbajtja e kësaj kalaje lë shumë për të dëshiruar, por edhe veprimtaria e gabuar e turistëve është për t’u ndëshkuar.

Gjurmon Media vizitoi pak ditë më parë këtë kala, ku të metat shquheshin prej së largu. Muri i kalasë së Kaninës në pjesën e poshtme të tij rrethohet nga një pyll me pemë të ndryshme.

Bukuria e natyrës duket se është dëmtuar nga dora e njeriut, ku poshtë pemëve në vend të gjetheve të rëna gjen vetëm mbeturina. Plastika mbizotëron mbi çdo gjë, ku tashmë bari poshtë pemëve as që shquhet me sy të lirë.

Kjo situatë shihet jo vetëm nga turistët vendas, por edhe të huaj, ku mesazhi që u jepet është i gabuar. Bukuria natyrore që prej shekujsh i jep hijeshi qytetit po dëmtohet nga dora e njeriut dhe ndërhyrja është e menjëhershme.