Pas ndërprerjes së punimeve në janar për shkak të protestave të banorëve, punimet për ujësjellësin e Himarës në Shushicë kanë rifilluar sërish punimet të mërkurën. As protestat e banorëve dhe as padia në gjykatë nga banorët e 30 fshatrave të lumit të Vlorës që kundërshtojnë projektin, duket se nuk po ndalin dot punimet.
Organizata mjedisore Eco Albania në një postim në mediat sociale ka njoftuar se punimet tashmë kanë rinisur, duke rikthyer edhe njëherë frikën e banorëve se projekti do të marrë udhë pa dëshirën e tyre.
Aktivistja e mjedisit nga Eco Albania, Besjana Guri i tha BIRN sekëmbëngulja për të vijuar punimet ndërsa nuk janë zgjidhur kundërshtitë është e papranueshme.
“Përpjekjet e vazhdueshme për të shtyrë përpara këtë projekt, pavarësisht kundërshtimit të qartë nga komuniteti dhe ekspertët, janë të papranueshme. Shushica është pjesë e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa dhe marrja e ujit nga burimi i kryesor i saj cënojnë integritetin e tij dhe biodiversitetin e zonës. Ne qëndrojmë të bashkuar me banorët këtë betejë”, tha Guri.
Në dhjetor të vitit që shkoi Gjykata Administrative rrëzoi planet për 4 HEC-e në këtë lumë, pas ankimit prej banorëve dhe organizatave të mjedisit. Projektet për HEC-e u miratuan 3 vjet më parë.