Një punëtor ka ndërruar jetën mëngjesin e të shtunës në kantierin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Sipas informacioneve mësohet se Nusret Xhoka 60 vjeç nga Dibra u përplas nga një fadromë që drejtohej nga 63-vjeçari, nga Prishtina, Rrahman Sllamniku.
Të dy ishin punësuar pranë kompanisë “2A Group”, e cila po ndërton aeroportin e Vlorës dhe deri më tani mësohet se ngjarja ka qenë aksidentale.
Policia e Vlorës, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar 63-vjeçarin, pasi dyshohet se duke drejtuar një fadromë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e saj dhe ka përplasur një trajler, e si pasojë ka humbur jetën dhe Xhoka.
60-vjeçari sapo kishte zbritur nga mjeti i tonazhit të rëndë, dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vend.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan shtetasin Rrahman Sllamniku, 63 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, pasi dyshohet se më datë 17.01.2025, rreth orës 21:20, në kantierin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, duke drejtuar një fadromë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e saj dhe ka përplasur një trajler. Si pasojë, drejtuesi i trajlerit, shtetasi N. Xh., 60 vjeç, banues në Dibër, ka humbur jetën”, sqaron Policia e Vlorës.
Hetim edhe nga inspektorati i punës
Pas ngjarjes së rëndë në kantierin e ndërtimit ka shkuar edhe Inspektorati Shtetëror i Punës. Ky institucion do të hetojë nëse janë zbatuar rregullat e sigurimit në punë.
Për Nusret Xhoka 60 vjeç nga Dibra mbrëmja e 17 janarit ishte dita e tretë e punës. Ky nuk është aksidenti i parë në punë në Vlorë gjatë muajve të fundit. Pak javë më parë në një pallat në ndërtim humbi jetën një 30-vjeçar, ku sipas hetimeve ishin shkelur rregullat e sigurimit në punë.
Ndërtimi i aeroportit
Punimet për aeroportin e Vlorës nisën në fund të vitit 2021. Në fazën e parë, Aeroporti i Vlorës, do të operojë me një kapacitet prej 2 milionë pasagjerësh. Pas mbylljes së fazës së parë, aeroporti do t’i nënshtrohet edhe dy fazave të tjera që përfshijnë, infrastrukturën për godinën kargo, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, dhe ngritjen e akademisë së fluturimit.