Aktualisht, puna për ndërtimin e bypassit të Vlorës vazhdon, dhe ende nuk është e qartë nëse segmenti do të jetë i gatshëm për sezonin turistik që po afron. Ky projekt, që ka si qëllim lehtësimin e trafikut, është i rëndësishëm pasi mundëson kalimin më të shpejtë dhe më të sigurt të automjeteve që udhëtojnë nga Tirana në jug.
Edhe pse është hapur disa herë, Bypass-i i Vlorës vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur, për shkak të zvarritjeve, premtimeve të përsëritura dhe problemeve teknike që kanë ndikuar negativisht tek qytetarët.
Gjurmon ka realizuar një vëzhgim në terren dhe ka vënë re se po shtrohej një pjesë e rrugës me asfalt. Gjithashtu, u vërejt një prani e madhe e mjeteve të punës dhe makinerive që po operonin në zonën e bypass-it.
Ky aks rrugor, i cili lidh autostradën Levan – Vlorë me rrugën bregdetare Vlorë – Sarandë, u mbyll së fundi prej rrëshqitjeve të gurëve dhe dherave.
Edhe pse qeveria e inauguroi në korrik të 2022-s, ky aks ende nuk po përfundon.
Për momentin nuk ka një datë të saktë për përfundimin e punimeve dhe ende mbetet e paqartë nëse by-passi do të hapet në kohë për sezonin turistik 2025. Kjo situatë mund të krijojë pasiguri për turistët dhe bizneset lokale, të cilët presin një sezon turistik të ngarkuar.