Protestë e pazakontë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Sarandë, aktivisti hedh një kovë me midhje

Protestë e pazakontë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Sarandë, aktivisti hedh një kovë me midhje

Një protestë e pazakontë ka ndodhur sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Sarandës ku një aktivist ka derdhur një kovë me midhje të liqenit të Butrintit në shenjë demonstrative për gjendjen e tyre. “Kjo është midhja, shikojeni në çfarë gjendje është, kjo është midhja. Nuhateni njëçikë aromën e vdekjes”, dëgjohet të thojë në video aktivisti Soraldo Nebo.

Gjurmon.al arriti të komunikojë me aktivistin pas ngjarjes. Ai ndau momentet pas protestës dhe reagimin e këshilltarëve.

“Kishim 3 muaj që kishim bërë raport dhe një kërkesë për të folur dhe po na neglizhonin, prandaj ju vajtëm. Aty u bënë më arrogantë. Ne ju thamë shumë qartë se ne pushtetin në Shqipëri e delegojmë tek ju, pra pushtetin jua japin qytetarët. Ishte gati në një përplasje fizike por nuk shkoi më tej”, tha Nebo për Gjurmon.al

Kujtojmë se aktivisti e ka ngritur edhe më parë problematikën e midhjes në liqenin e Butrintit.

Nebo, aktivist i njohur nga Ksamili, ka bërë një thirrje publike edhe më parë përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku ka ngritur shqetësimin mbi gjendjen kritike të industrisë së midhjes në liqenin e Butrintit. Në mesazhin e tij, ai theksonte problemet që po përballeshin fermerët për shkak të ndryshimeve në farën e midhjes dhe faktorëve mjedisorë që po ndikojnë negativisht në prodhimin e saj.

Sipas tij, ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit fara e midhjes është shfaqur e bardhë dhe e prekur nga një gjallesë e quajtur karaul, çka tregon se sezoni i ardhshëm mund të jetë i vështirë për prodhuesit. Ai bëri thirrje të drejtpërdrejtë Ministres së Bujqësisë dhe institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë për të dhënë mbështetje konkrete fermerëve, përmes dhënies së kontratave dhe investimeve të nevojshme në liqen.

Gjithashtu, aktivisti kërkoi nga institucionet lokale dhe kryetari i bashkisë që të ndihmonin në zgjidhjen e kësaj situate dhe të merrnin masa për përmirësimin e cilësisë së ujit në liqen, pastrimin e kanaleve dhe kryerjen e analizave të nevojshme. Ai shprehu shqetësimin e tij se nëse nuk merren masa urgjente, midhjet e konsumuar në restorantet lokale do të jenë të importuara nga Italia, duke u dëmtuar kështu industria e vendit. Duket se të paktën nga pushteti lokal nuk ka pasur një reagim domethënës për këtë problematikë.