Dy ditë pas protestës së banorëve të Tragjasit që kundërshtojnë projektin për ujësjellësin, i cili synon të dërgojë ujin në zonat turistike të Palasës, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Sali Berisha.
Gjatë një komunikimi me qytetarët, kreu i qeverisë e cilësoi të pakuptimtë protestën e banorëve, ku shtoi se është bërë një studim i mirëfilltë dhe ky projekt nuk dëmton banorët e zonës dhe të gjithë do të jenë të lehtësuar. Sipas tij ky investim i shërben vetë zonës dhe se në fund të përfundimit të tij do jetë një e mirë për të gjithë banorët.
“Ky është një diskutim që ka në thelb një pikëpyetje shumë të madhe për mua, sesi ka mundësi të të bihet pre e një konfuzioni të tillë, sepse jam i bindur që mbrapa kësaj ka burime helmi që kanë derdhur sasira të caktuara në mendjen e Tragjasit. Por përtej këtyre, pyetja është shumë e thjeshtë; si është e mundur që të imagjinohet që një qeveri, të marri ujin që u duhet disave për t’ua dhënë disa të tjerëve. Këtu është future brenda edhe kuçedra, oligarkët që po marrin ujin për qëllime të tyre etj.
Nga ana tjetër jam përpjekur ta shpjegoj dhe rishpjegoj se ky projekt bazohet në studim hidrologjik. Janë bërë matje të vazhdueshme të prurjeve, analiza për të dalë në konkluzionin se sa prurje ka, sa nevojë ka mjedisi gjeologjik, sa duhet për konsum, sa prurje ikin në det etj.
Mbi bazën e këtyre analizave dhe matjeve është bërë projekti, i cili synon që edhe vetë zona atje, banorët atje, shtëpitë atje, të cilat furnizohen me pikatore sepse sistemi i ujësjellësit atje është ndërtuar në vitet 60, ndërkohë që një pjesë tjetër e banorëve kanë bërë investime personale, për të marrë ujë me puse. Ne e shohim si një potencial të madh për turizmin, për transformimin e shtëpive, kështu që edhe kanalizimet qe mungojnë janë pjesë e projektit.
Do të bëhet ujësjellësi i ri i Tragjasit, do të furnizojë edhe zonën e poshtme. Detajet janë teknike, por dua të shpjegoj se një projekt bëhet me profesionistë, por ka edhe oponencë. Prurja minimale e matur, dhe matjet janë bërë në periudha korrik, gusht shtator, 2021, 2022, ka edhe matje të 2018, kështu që prurjet mininale janë 700 litër në sekond.
Nga të gjithë shfrytëzimi, në maksimum, që do t’i bëhet këtij burimi për shkak të ujësjellësit, është dy herë më i vogël sesa prurja minimale. Në të gjitha rastet, ajo që mbetet e pashfrytëzuar nga sistemi i ujësjellësit, është mëse e mjaftueshme për mjedisin. Për ujin e pijshëm do të plotësohen nevojat. Kjo është çështje teknike, nuk shihet me sy, por me instrumente shkencore që mbëjnë matjet dhe me analiza progresive. Nuk ka asnjë kërcënim, është çmenduri të jem unë personi që dashkam t’ua marr ujin tragjasitëve, për tua dhënë himarioteve
Ujësjellës për të pirë ujë, si mundet që një ujësjellës për të pirë ujë të thajë dynjanë. Projektet nuk mund të bllokohen, investimet nuk mund të bllokohen. Policia nuk është shfaqur aty se papritur e pakujtuar u kujtua një fadromë të vijë, por se ka muaj të tërë që bëhet përpjekje për t’u sqaruar. Si do bëhet kjo, do merret peng me dhunë, një investim që në radhë të parë i shërben vetë zonës. Kam shumë besim që duke dëgjuar mirë ekspertët dhe duke besuar tek vullneti i mirë për transformimin e mëtejshëm të gjithë qarkut të Vlorës, do realizojmë projektin dhe të gjithë do jemi të lehtësuar nga çdo lloj frike dhe konfuzioni”, tha Rama.
Nga ana tjetër kryetari i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se banorëve po u merret me forcë prona e tyre. Teksa tregoi se është në mbështetje në banorëve të Tragjasit, Berisha krahasoi qeverinë me kuçedrën.
“PD është plotësisht në mbështetje të protestës së Tragjasit. PD ka qeverisur, PD nuk ka rrëmbyer prona komunitare me forcë asnjëherë. PD në të gjitha rastet ka zbatuar ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare që e detyrojnë qeverinë të ulet me banorët, e detyrojnë qeverinë të marrë parasysh të gjithë shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Në çdo rast, dhe kanë qenë shumë të rralla, absolutisht qeveria është ulur dhe i ka zgjidhur siç kërkon konventa dhe rregulli ndërkombëtar dhe kombëtar, gjer edhe në forma konkrete shpërblimi dhe dëmshpërblimi. Pra, ai që ua merr me forcë ujin, ai merr rol kuçedre, ua shterron burimet.
Nuk mund të bëhet, ata me atë burim uji janë aty dhe kanë ndërtuar jetën në breza. Ndaj dhe të ulen. Nuk jam unë që të mos ndërtohen ujësjellësa, por nuk mund të pranoj kurrë dajakun kundër banorëve për t’u marrë burimin e ujit. Jam i prerë në këtë mes. Këtë e bën Edi Rama që nuk ndjek asnjë lloj parimi, rregulli”, pohoi Berisha.
Projekti për ujësjellësin në Tragjas që synohet dërgimi i ujit dhe për zonat turistike do të kushtojë. Ky projekt është investim i Agjencisë Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve që nis në zonën e Tragjasit, tek burimet e Izvorit dhe përfundon në Dhërmi. Ujësjellësi i ri parashikohet të ketë depon në Tragjas dhe përmes tubacioneve do kalojë në tunelin e Llogarasë. Ky investim me vlerë 7 milionë euro bëhet për të furnizuar me ujë të pijshëm zonën e bregut, Palasë, Drimadhes, Dhërmi.