Popullsia në moshë pune në Vlorë ka më shumë pleq dhe fëmijë në ngarkim

Popullsia në moshë pune në Vlorë ka më shumë pleq dhe fëmijë në ngarkim

Vlora është një ndër qarqet, ku popullsia në moshë pune ka më shumë persona në ngarkim për t’u kujdesur, të tillë si fëmijë dhe pleq. Këto janë të dhënat që dalin nga Censusi i fundit i kryer gjatë vjeshtës së vitit të shkuar dhe rezultatet e të cilit u publikuan disa javë më parë.

Koeficienti i varësisë së përgjithshme mat popullsinë 0-14 vjeç dhe atë mbi 65 vjeç ndaj popullsisë në moshe pune 15-65 vjeç.

Sa më shumë të rinj dhe pleq të ketë një qark i caktuar, aq më e lartë është barra e popullsisë në moshë pune për kujdesin ndaj tyre.

Vlora është qarku, ku popullsia në moshë pune ka një peshë më të madhe për t’u kujdesur për pleqtë dhe fëmijët. Këto dy grupe përbëjnë 64.7 për qind të popullsie në moshë pune në Vlorë.

Edhe në këtë qark peshën më të madhe e kanë pensionistët. Pensionistët në Vlorë janë sa 43 % e popullsisë në moshë pune dhe fëmijët vetëm në 21 %.

Të dhënat tregojnë se politikat për të rinjtë duhen të përqendrohen në Veri, ndërsa në Jug duhet të shtohen shërbimet sociale dhe shëndetësore për të moshuarit.