Në zgjedhjet e sotme parlamentare, pjesëmarrja e qytetarëve në Qarkun e Vlorës ka shënuar shifrën më të ulët në nivel vendi, duke arritur vetëm 25,12% deri në orën 16:00. Ky rezultat tregon për një angazhim të ulët të votuesve për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
Bashkia me më shumë pjesëmarrje në qark është Delvina, ndjekur nga Selenica, Saranda, Himara, Vlora dhe Finiqi.
Duket se Giro d’Italia ka ndikuar për pjesëmarrjen shumë të ulët në Bashkinë Vlorë. Në total qarku ka një numër prej mbi 307 mijë shtetasish me të drejtë vote.
Komisioni Rregullator i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të mblidhet sot në orën 17:00 për të shqyrtuar një projektvendim të rëndësishëm në lidhje me procesin zgjedhor në qarkun Vlorë ku kërkohet shtyrja e afatit të votimit.
Qarku i Vlorës, i cili përfshin qytete të rëndësishme dhe zona me zhvillim turistik, ka parë një rënie të konsiderueshme të pjesëmarrjes edhe në krahasim me 2021-shin që e rendit këtë qark me nivelin më të ulët të votuesve në të gjithë Shqipërinë.