Përplasja në Këshillin Bashkiak Sarandë: Opozita bllokoi miratimin e Paketës Fiskale për shkak të taksës së fjetjes

Përplasja në Këshillin Bashkiak Sarandë: Opozita bllokoi miratimin e Paketës Fiskale për shkak të taksës së fjetjes

Këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak Sarandë kanë penguar javën që shkoi miratimin e Paketës Fiskale për vitin e ardhshëm, duke ngritur shqetësime mbi një taksë specifike që, sipas tyre, është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Konkretisht, çështja që ka ngritur debat është taksa e fjetjes në hotele, e cila, edhe vitin e kaluar, është aplikuar me një nivel më të lartë sesa parashikohet në ligj, sipas pretendimeve të opozitës.

Vesel Kociu nga Partia Demokratike u shpreh në mbledhje se kjo është e padrejtë dhe jo ligjore.

“Bashkia Sarandë kategorizohet në kategorinë e dytë dhe taksa e fjetjes në hotel është 70 lekë, për të gjitha godinat, hotelet, motelet. Ndërsa për ato me 4-5 yje 175. A ka të drejtë bashkia dhe administrata që të vendosi taksa mbi ligjin?”

Opozita ka kërkuar që kjo taksë të rishikohet me urgjencë dhe të përshtatet me kuadrin ligjor, duke theksuar se mbajtja e saj në të njëjtin nivel përbën një shkelje të rregullave fiskale. Nga ana tjetër, përfaqësues të drejtorisë juridike të bashkisë kanë shpjeguar se Paketa Fiskale nuk ka pësuar asnjë ndryshim krahasuar me një vit më parë dhe kanë nënvizuar se miratimi i saj gjatë vitit të kaluar ka qenë në përputhje me ligjin.

Pavarësisht këtyre argumenteve, këshilltarët e opozitës kanë këmbëngulur që të ndërpritet mbledhja dhe të rishikohet taksa në fjalë, duke e përshtatur me normat dhe kufijtë e përcaktuara nga ligji. Kjo kërkesë u refuzua nga bashkia dhe këshilltarët e mazhorancës, çka shkaktoi një reagim të ashpër nga opozita. Në shenjë proteste, këshilltarët opozitarë braktisën mbledhjen.

Si pasojë e largimit të opozitës dhe mungesës së kuorumit, mbledhja përfundoi pa miratimin e Paketës Fiskale. Ky ngërç e ka bërë të paqartë se çfarë do të ndodhë me tarifat dhe taksat lokale për vitin e ardhshëm, duke krijuar një situatë që mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin dhe shërbimet që bashkia pritet të ofrojë.