Opozita kërkon mbledhje të jashtëzakonshme për përmbytjet, Bashkia Vlorë refuzon

Opozita kërkon mbledhje të jashtëzakonshme për përmbytjet, Bashkia Vlorë refuzon

Një grup këshilltarësh të opozitës në Këshillin Bashkiak në Vlorë kërkuan mbledhjen e këtij organi të lartë vendimmarrës për një takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar për situatën pas përmbytjeve në Vlorë.

Por kjo kërkesë e grupit të këshilltarëve të opozitës, nuk është marrë parasysh nga administrata e Këshillit Bashkiak, duke refuzuar kërkesën e tyre.

Bazuar në nenin 61 pika 1 e Rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Bashkisë” ku citohet: “mbledhje e jashtëzakonshme është mbledhje jashtë radhe dhe mbahet në situata të emergjencës civile, që kërkojnë vendimmarrje urgjente të Këshillit në situata në situata fatkeqësi natyrore, mungesë në masë të madhe të rendit dhe qetësisë publike në komunitet, apo raste të tjera të specifikuara në ligj, konstatohet se aktualisht nuk jemi në kushtet e emergjencës civile të pretenduar pasi nuk ka asnjë vendim apo deklarim për shpalljen e gjendjes së emergjencës nga institucionet përkatëse”, citohet në përgjigjen e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Elpiniqi Mërkuri.

Po në këtë përgjigje, thuhet se opozita nuk ka depozituar ndonjë projektvendim për t’u diskutuar dhe miratuar gjatë kësaj mbledhje të jashtëzakonshme, ndaj është vendosur që e drejta e një të tretës së anëtarëve të Këshillit Bashkiak të mos pranohet.

Kryetari i Këshillit teksa informon opozitarët se të gjitha shqetësimet e tyre do të diskutohen në mbledhjen e radhës të këtij organi, i fton ata që të ndjekin procedurat e tjera ligjore për të kërkuar të drejtën e tyre lidhur me kërkesën për takim të jashtëzakonshëm.