Qindra punonjës të kompanisë së prodhimit të këpucëve “Alba Shoes Group” në Vlorë, protestuan sërish këtë të mërkurë, pasi shprehen se nuk u janë respektuar të gjitha të drejtat në punë.
Punonjëset gra të kësaj fasonerie, pas protestave që kanë zhvilluar para godinës ku punojnë, këtë herë tubuan tek Inspektorati i Punës në Vlorës, për të sensibilizuar edhe këtë institucion për problemin e tyre, mos pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga punëdhënësi.
Por këto 250 punëtore tregojnë dhe arsye të tjera përse kanë dalë në revoltë, ku shprehen se pa dëshirën dhe dijeninë e tyre janë zhvendosur në filialin e kompanisë që ndodhet në Nartë, disa kilometra larg qytetit të Vlorës.
Ato pretendojnë se zyrtarë të Inspektoratit të Punës kanë shkuar dhe për inspektim në vendin e tyre të punës, por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje ndaj vendosën që protestën e kësaj të mërkure ta zhvillonin dhe brenda zyrës së inspektorit Armando Dule.
Vetë ky zyrtar në një prononcim për mediat, sqaroi se sa i përket pagesave të kontributeve, sistemi tatimor ia lejon subjektit që të mos paguaj për disa muaj kur është në vështirësi financiare.
Edhe drejtuesja e inspektoratit të punës Tereza Lacaj, tregoi se ka patur një inspektim në biznes duke verifikuar mungesën e pagesës së sigurimeve shoqërore të cilën e ka referuar drejt drejtorisë tatimore.
Protesta prodhon produkt
Pas kësaj revolte të nisur ditët e fundit, që është mbështetur edhe nga Lëvizja Bashkë, duket se punonjëset gra kanë arritur një fitore të vogël. Negociatat me zyrtarët e inspektoratit të punës bënë të mundur zhvillimin e një takimi me administratorin e kompanisë.
Ballafaqimi me drejtuesit e kompanisë i dha zgjidhje disa prej problemeve të ngritura prej tyrë. Mësohet se drejtuesit kanë rënë dakord për një aneks kontrate në të cilën të parashikojnë pagesat për orët shtesë dhe gjatë festave zyrtare, si dhe caktimin e një turni me 5 orë punë me pagesë të shtunave.
Sa i takon sigurimeve është premtuar shlyerja e tyre brenda muajit dhjetor, teksa dy muaj (mars-prill) u kaluan brenda gjatë ditës së sotme.