Përgjegjësit e përmbytjeve në Vlorë do të hetohet nga Prokuroria. Dyshimet se përmbytjet u shkaktuan nga mospastrimi i kanaleve dhe problemet me hidrovorët do të marrin përgjigje pas hetimeve nga organi i akuzës.
Partia Demokratike Dega Vlorë, pasi largimit të ujit nga qyteti, iu drejtuar Prokurorisë dhe kërkon vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës për situatën apokaliptike në qytetin bregdetar.
Kreu i PD Vlorë, Atird Hoxha, në një deklaratë për mediat pas depozitimit të padisë kërkoi që të veprohet me shpejtësi për ngjarjet e 4 tetorit.
“Ky veprim ka një sërë faktesh që kanë ndodhur në përmbytje. Kërkojmë që prokuroria të veproj më shpejtësi pavarësisht se ditët kalojnë. Nuk kemi parë prokuror në terren. Kemi kallëzuar ku kemi bërë të qartë veprime që prokuroria të kryejë marrjen e provave në terren. Institucionet shtetërore të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të minimizuar dëmet në pronat e qytetarëve dhe të marrë përgjegjësi për dëmet.
Pasi këto përmbytje nuk kanë ndodhur si pasojë e reshjeve të pretenduara nga kryetari i bashkisë. Ka ardhur si neglizhencë e mos veprimit të cilin institucione duhet të kishin ndërmarrë si kanalizimet e ujërave të sipërme që çeduan gjatë 4 tetorit dhe duhet të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Hoxha.
Kallëzimi ka për qëllim nisjen e hetimeve, ku mund të merren të gjithë në shqyrtim, që nga kreu i bashkisë tek emergjencat civile dhe OSHEE.
“Kush janë ata që kanë shpërdoruar detyrë, për dëme që llogariten në qindra miliona euro. Nuk kemi bërë kallëzim me emra konkret. Po kërkojmë nisjen e hetimeve sa i takon shpërdorimit të detyrës. Nga kreu i bashkisë, emergjenca civile, OSHEE”, shtoi ai.
Përmbytjet e 4 tetorit shkaktuan dëme të shumta në qytetin e Vlorës, ku qindra banesa dhe biznese u mbuluan nga uji. Pavarësisht se ekspertët flasin për shira tej normave brenda një kohe të shkurtër, zyrtarët kanë pranuar disa problematika, duke kërkuar ndjesë qytetarëve dhe premtojnë dëmshpërblim për këdo që është dëmtuar.