“Në Vlorë është konsumuar qumësht i kontaminuar me alfatoksinë”, AKU konfirmon skandalin

“Në Vlorë është konsumuar qumësht i kontaminuar me alfatoksinë”, AKU konfirmon skandalin

Qytetarët e Vlorës prej javësh kanë konsumuar qumësht kancerogjen të kontaminuar me aflatoksinë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konfirmuar sot se në qytetin e Vlorës ka qarkulluar një sasi qumështi, si dhe nënprodukte të tij të kontaminuara më aflatoksinë M1, një element kancerogjen dhe i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.

Sipas informacioneve, mësohet se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka analizuar disa mostra dhe ka rezultuar që kanë qenë të ndotura me këtë substancë kancerogjene.

Por skandali qëndron në faktin që mostrat e analizuara janë marrë në treg nga janari e deri më tani në fund të muajit prill, që do të thotë se qumështi i kontaminuar ka qarkulluar prej disa muajsh në marketet e Vlorës.

Deri më tani mësohet se gati 40% e qumështit të kontrolluar ishte i kontaminuar mbi normat e sigurisë ushqimore.

Në bazë të analizave të kryera në ISUV disa kampione qumështi kanë rezultuar me praninë e Aflatoksinës M1. AKU thekson se qumështi është tërhequr menjëherë nga tregu, por dyshohet që edhe të jetë konsumuar.

Por çfarë është aflatoksina dhe çfarë rreziku ka?

Aflaktoksina, që nga vetë përbërja e emrit është një toksinë e përbërë nga myku që rritet tek drithrat: misri, gruri; tek arroret: arrat, pistaku, qiqrat, etj. Aflatoksina prezente në qumësht, në nënproduktet e qumështit apo edhe në drithrat që janë për konsum njerëzor dhe për arroret, kur bëhet akumulative është përgjegjëse për kancerët në mëlçi, prish funksionin e veshkave, domethënë ka dëme njerëzore.

Aflaktoksina shkakton: helmime akute ose kronike; kancer të mëlçisë; çrregullime metabolike: çregullime kronike të imunitetit; efekte helmuese; dhimbje barku; të vjella; hemoragji të brendshme; vështirësi në frymëmarrje; dëmtime të sistemit nervor dhe gjendje komatoze ose vdekje të sëmurit.