Në Sarandë fillon kërkimi për staf hotelerie që në Janar, pasiguri për bizneset

Në Sarandë fillon kërkimi për staf hotelerie që në Janar, pasiguri për bizneset

Në prag të sezonit turistik, me synimin për t’u përgatitur mirë për fluksin e pritur të turistëve, bizneset në Sarandë kanë hapur vende pune për role kyçe si kuzhinierë, kamarierë, recepsionistë dhe pozicione të tjera të sektorit të shërbimit.

Hotelet kanë bërë të ditur se pagat për stafin e sezonit do të jenë konkurruese, duke reflektuar kërkesën e lartë për punëtorë të kualifikuar.

Në sektorin e turizmit në Sarandë, punët më të kërkuara për sezonin veror përfshijnë pozicione si kamarierë, kuzhinierë, recepsionistë, ndihmës kuzhinierë dhe mirëmbajtës të ambienteve. Paga për këto role ndryshon në varësi të pozicionit dhe përvojës, por në përgjithësi, kamarierët dhe ndihmësit në kuzhinë paguhen mesatarisht nga 800 deri në 1000 euro në muaj. Recepsionistët, veçanërisht ata që njohin gjuhë të huaja, paguhen mesatarisht nga 700 deri në 1,000 euro. Rritja e turizmit dhe kërkesa për shërbim cilësor kanë bërë që pagat në sektorin e turizmit në Sarandë të jenë konkuruese, duke tërhequr punonjës nga qytete të tjera.

Pritshmëritë për këtë vit janë të larta, pasi pritet një numër më i madh turistësh se sezoni i kaluar. Hotelet dhe bizneset po përgatiten për një fluks të rritur vizitorësh, të nxitur nga promovimi i zonës si një destinacion turistik ndërkombëtar.

“Ne kemi filluar përzgjedhjen e stafit më herët këtë vit për të siguruar cilësi në shërbim dhe për të qenë gati për sezonin. Presim një rritje të numrit të turistëve, veçanërisht nga Evropa dhe rajoni,” tha një përfaqësues i një prej hoteleve në Sarandë.

Sezoni turistik i vitit 2024 në Sarandë dhe Ksamil ishte i suksesshëm, duke shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve krahasuar me 2023-shin.