Mbetje të hedhura kudo, mungesë e koshave të plehrave, ujëra të ndotura që derdhen në det dhe hapësira për plazh publik në vende jo të duhura. Kjo është panorama që vjen nga plazhi i Vlorës këtë Qershor.
Gjurmon.al vëzhgoi plazhin e ri në Vlorë, në zonën e “Ujit të ftohtë”, që konsiderohet si kryersisht plazh familjar dhe konstatoi disa problematika.
Rregullorja e re e miratuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe që duhej zbatuar nga Bashkia Vlorë, për ndarjen e plazheve duket se nuk ka gjetur zbatim të plotë këtë sezon.
Hapësirat për të vendosur qytetarët çadrat e tyre janë shumë të pakta, pasi sërish hotelet dhe subjekte të tjera private kanë zaptuar pjesën më të madhe të plazhit.
Për ata që duan të bëjnë pushime me kosto sa më të ulta, është lënë hapësirë vetëm në afërsi të kanaleve ku derdhen ujërat e ndotur.
Bashkia “mendon” për plazh publik
Ditët e fundit pas nisjes së debatit për mungesën e hapësirave publike në Vlorë për të bërë plazh, bashkia nisi vendosjen e disa çadrave që mund të përdoren nga kushdo pa pagesë për të bërë plazh.
Të vendosura në zonën e Lungomares, 100 çadrat e bashkisë nuk i japin zgjidhje problemit pasi në zonat me plazhet më të pastra të qytetit, e deri në Radhimë dhe Orikum të pasurit hapësirë për çadër pa pagesë është një mision i pamundur.
Kullat e vrojtimit ende problem
Në zonën e njohur si plazhi i ri, që nis nga Shkolla e Marinës e drejt jugut të qytetit, plazhet që lidhin Vlorën, Radhimën e Orikumin, ka pak ose aspak kulla vrojtimi.
Pavarësisht se çdokush që ka një plazh privat, por edhe në zonat që plazhi është publik duhet të kenë dhe kulla vrojtimi, kjo gjë nuk ndodh në këtë zonë të qytetit.
Në ato pak vende që ka kulla vrojtimi është e vështirë dhe në disa raste e pamundur të shohësh ndonjë person që vështron pushuesit teksa lahen në det e t’u vijë në ndihmë në rast nevoje. Deri më tani në plazhet e Vlorës nuk ka pasur problematika të tilla, por në sezonet e shkuara ka pasur edhe raste fatale për shkak se pushuesve nuk u është dhënë ndihma e parë në kohë.
Plehrat problem madhor
“Ka plehra kudo“, ky është mesazhi i përbashkët i çdo turisti që takon në zonën e plazhit të ri në Vlorë. Disa pushues i thanë Gjurmon.al se plehrat janë problemi më i madh këtë sezon. Teksa bëjnë fajtor autoritetet që nuk pastrojnë aq sa duhet, fajin e hedhin edhe te turistët që nuk kujdesen sa duhen për hapësirën e përbashkët dhe lënë plehra në rërë.