Aksi rrugor Kuç-Qeparo është kthyer në një problem për qytetarët që e përshkojnë këtë segment edhe gjatë muajve të dimrit.
Tashmë është bërë traditë që sa herë do ketë reshje shiu, jo me intensitet të lartë por edhe mesatar, rruga të bllokohet për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe gurëve nga shpati i malit.
Edhe këtë të enjte, ky segment rrugor është bllokuar pas reshjeve të rëna gjatë natës. Sërish problematika është shfaqur në të njëjtin vend, ku edhe një javë më parë pati rrëshqitje dherash e gurësh.
Autoritetet vendore prej orëve të para të mëngjesit janë angazhuar për të rihapur këtë segment rrugor, ku përveç gurëve këtë herë në rrugë kanë përfunduar edhe pemë.
“Gjatë punimeve emergjente për pastrimin nga aluvionet, në aksin rrugor Kuç-Qeparo”, shkruhet në një postim të Autoritetit Rrugor Shqiptar teksa shpërndahen edhe disa foto nga puna në terren.
Autoritetet lokale dhe qendrore kanë premtuar prej kohësh zgjidhjen e këtij problemi, ndërhyrjen për të mos pasur më rrëshqitje dherash, por duket se situata është ende problematike.