Situata me mbetjet në Vlorë, sidomos në periferi të qytetit, prej javësh është problematike. Kosha të mbushur plot dhe mbetje të hedhura kudo, kjo është një panoramë që e has gjerësisht në periferi të qytetit.
Gjurmon.al ka vëzhguar disa zona në qytet dhe situata është alarmante. Bashkia Vlorë pas denoncimit të bërë nga Gjurmon.al ka reaguar duke pastruar disa zona, por në pjesë të tjera panorama mbetet e njëjtë.
Teksa qytetit “është i mbytur në plehra”, Landfilli në Sherishtë ku do të grumbulloheshin mbetjeve qytetit dhe zonave përreth ende nuk është i përfunduar.
Bashkia Vlorë pranon që “investimi për ndërtimin e Landfillit të Sherishtës nuk mund të vlerësohet si i përfunduar. Ka ende një pjesë punimesh të pa realizuara për përfundimin e të cilave kanë qenë të nevojshme një sërë ndryshimesh në aspektin administrativ dhe ligjor”.
Në faqen zyrtare ky institucion konfirmon se është “duke bashkëpunuar ngushtësisht për të mundësuar vazhdimin e punimeve në një afat sa më të shpejtë” me Konsulentin Teknik, por shton se “Konsulenti Teknik është duke punuar për përgatitjen e projekteve të punimeve të pa realizuara ende të Komponentit “Ndërtimi i Landfillit të Sherishtës ” dhe si dhe të Komponentit “Mbyllja e vend depozitimeve ekzistuese””.
Edhe sa i përket kostove të këtij landfilli që prej vitesh është duke marrë para nga buxheti i shtetit, bashkia nuk di të japë një përgjigje se cila është kostoja.
“Në përfundim të këtyre projekteve do të kemi një parashikim të plotë dhe të saktë të punimeve që janë për t’u kryer dhe kostot përkatëse për kryerjen e këtyre punimeve”, thotë ky institucion.
Po kur do përfundojnë punimet për landfillin? As për këtë pyetje Bashkia Vlorë nuk di të japë një përgjigje. “Përfundimi i punimeve të parealizuara, do të mundësojë vënien në funksionim të Landfillit të Sherishtës, por nuk mund të parashikojmë në këtë moment një afat të saktë për përfundimin e punimeve dhe marrjen në dorëzim të impiantit nga ana e Bashkisë Vlorë”, deklaron ky institucion.