Një raport i KLSH thekson se spitali psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë ka nevojë për më shumë investime dhe reforma, për të siguruar një trajtim të dinjitetshëm dhe efikas për pacientët me çrregullime mendore. Rikonstruksioni i nisur është një hap pozitiv, por kërkohet një angazhim më i madh institucional për të garantuar përmirësime afatgjata.
Në vitin 2023 ka filluar rikonstruksioni i spitalit Psikiatrik Vlorë, ku vlera e parashikuar është 207,771 mijë lekë përfshirë edhe mobilim dhe pajisje mjekësore. Ky investim është filluar në vitin 2023 dhe është parashikuar për tu mbyllur brenda vitit 2025.
KLSH është ndalur konkretisht tek kushtet dhe sjelljet e stafit ndaj të shtruarve në këtë spital.
“Për spitalin psikiatrik të Vlorës ka patur dy ankesa. Ankesa me shkrim e datës 08.03.2023 me nr. 449, prot., djali i pacientit pretendon se babai i tij është dhunuar nga kujdestari. Sipas tij kujdestari e ka futur në pavijonin e pranimit dhe i ka bërtitur, e ka keqtrajtuar, i ka shqyer këmishën (këmisha e pacientit ishte me kopsa të hequra) ndërkohë që pacienti nuk ka qenë agresiv apo kundërshtues me kujdestarin.”, shkruhet në raportin e KLSH.
Sipas raportit, stafi në dispozicion të shërbimit shëndetësor të specializuar me shtretër në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit dhe të Vlorës nuk reflekton praktikat më të mira në drejtim të numrit të stafit për nr. pacientësh.
Shërbimi psiko – social në spitalin psikiatrik të Vlorës nuk është i organizuar si sektor më vete.
Po ashtu rregullorja e brendshme në Spitalit Psikiatrik Vlorë nuk është e miratuar.
Në shërbimin shëndetësor të specializuar me shtretër të spitalit psikiatrik të Vlorës nuk garantohet një raport i përshtatshëm numër pacientësh/staf, krahasimisht me praktika të tjera më të mira në këtë drejtim. Sipas modelit italian, një mjek psikiatër duhet të kujdeset vetëm për rreth 10 – 15 pacientë; një infermier për 4 – 6 pacientë në repartet akute dhe për 6 – 8 pacientë në repartet e rehabilitimit ose kujdesit afatgjatë.
Në dy spitalet më të populluara në vendin tonë, atë të Elbasanit dhe Vlorës, vërehet se raporti nr. pacientësh/staf është respektivisht: 62 pacientë/mjek, 25 pacientë/infermier, 62 pacientë/psikolog dhe 103 pacientë/punonjës social në Elbasan; 40 pacientë/mjek, 15 pacientë/infermier, 66 pacientë/psikolog dhe 33 pacientë/punonjës social në Vlorë.
Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë është institucion shëndetësor me shtretër që ushtron veprimtarinë e tij në fushën e shëndetit mendor. Ky institucion ka një kapacitet prej 200 shtretër të shpërndarë në 8 pavione dhe ofron shërbim për rrethet: Vlorë, Fier, Berat, Skrapar, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë.
Spitali Psikiatrik kryen këto funksione:
– observim dhe dhënie e ndihmës së parë në rastet për të cilat nuk është e mundur të zbatohen ndërhyrjet shëndetësore jashtë spitalore, trajtim në kushtet e shtrimit në spital të vullnetshëm ose të pavullnetshëm, në bashkëpunim me qendrën komunitare të shëndetit mendor ose me kërkesën e personit.
– Konsulencë psikiatrike në përgjigje të kërkesave që vijnë nga Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor, ambulancat dhe urgjencat e spitaleve të përgjithshme në qarkun e Vlorës dhe rrethet që shtrin shërbimet ky spital.