“Kanë shqyer trotuaret”, banorët e Vlorë ankohen: Të bëhen siç ishin më parë

“Kanë shqyer trotuaret”, banorët e Vlorë ankohen: Të bëhen siç ishin më parë

Prej muajsh Vlora është kthyer në një kantier ndërtimi, që nuk dihet se kur do të jetë fundi. Rrugët tashmë janë të gjitha me kanale në mes të tyre, ku në shumë vende kalimi bëhet me vështirësi.

Gropa ka kudo dhe për të mos dëmtuar makinën, duhet kujdes i madh, sidomos në orët e mbrëmjes pasi në shumë rrugë nuk ka as ndriçim.

Banorët e Vlorës shprehen se tashmë janë mësuar me problemin e kanaleve në mes të rrugës, por një shqetësim i tyre që nuk po merr zgjidhje janë trotuaret.

Shtrimi i tubacioneve për ujësjellësin e ri, por edhe për linjën e re elektrike për Marinën e Vlorës ka dëmtuar një pjesë të trotuareve.

Trotuari në rrugën Pelivan Leskaj në Vlorë, prej muajsh tashmë nuk është si më parë dhe banorët ngrenë shqetësimin se tashmë punimet kanë mbaruar por trotuari nuk është rregulluar.

Ky problem ka disa muaj, kanë shqyer pllakat e trotuarit dhe nuk i kanë vendosur si më parë. Siç shihet është krijuar një kanal në mes. Ka probleme kur bie shi, sepse në disa vende mbledh ujë”, tha një banor për Gjurmon.al.

Nuk duam asgjë më shumë, vetëm të bëhen si më parë. Pllakat t’i shtrojnë siç ishin”, shton ai.