Lagjja Çelaj në fshatin Kocul, pjesë e Bashkisë Selenicë, e cila është një prej lagjeve më të mëdha, vijon të përballet me probleme të mëdha infrastrukturore, ku rrugët janë në gjendje tejet të degraduar. Megjithëse kjo lagje ka një numër të konsiderueshëm banesash, mungesa e ndërhyrjeve nga autoritetet ka bërë që rrugët e saj të jenë thuajse të pakalueshme nga automjetet.
Banorët shprehen të zhgënjyer nga neglizhenca e vazhdueshme dhe kërkojnë zgjidhje urgjente. “Ne jemi lagjia më e madhe në fshat, por rrugë nuk kemi. Investimet janë kryer për lagjet e tjera ku numri i banorëve është disa herë më e vogël“, deklaroi një banor për Gjurmon.al.
Sipas tij kjo rrugë ka vite pa investime. “Prej shumë vitesh nuk kanë vënë dorë, kemi frikë të lëvizim me makinë“, shtoi banori.
Pavarësisht premtimeve elektorale dhe thirrjeve të herëpashershme, duket se lagjja Çelaj është lënë në harresë nga pushteti vendor. Banorët kërkojnë që Bashkia Selenicë dhe institucionet përgjegjëse të marrin masa konkrete për rehabilitimin e rrugëve, duke përmirësuar jetën e përditshme të komunitetit.
Për momentin, lagjja Çelaj mbetet një shembull i qartë i mungesës së investimeve dhe vëmendjes për zonat rurale, një problem i përsëritur në shumë fshatra të Shqipërisë.