Ing. Xhevair Ngjegari: Ishulli i Sazanit dhe miliardat e Jared – Alabbarit

Ing. Xhevair Ngjegari: Ishulli i  Sazanit dhe miliardat e Jared – Alabbarit

Ing. Xhevair Ngjegari: Kompanitë shpallen Investitorë Strategjikë me premtime e projekte fiktive, ndërsa mbasi bëhen pronarë, realizojnë projektet, premtimet dhe Mega-Fitimet duke menaxhuar pronën e përfituar Gratis. Duke mos shpenzuar asnjë Dollar nga premtimet fillestare. Skemën e korrupsionit e stimulon ligji i investimeve strategjike.

Jared Kushneri u shpall Investitor Strategjik me dy planimetri që s’kanë lidhje me relievin e Sazanit. Ndërsa me shitjet e 13,600 apartamenteve në portin e Durrësit, që s’kanë filluar ende, Alabbari po i shet vendasve pallatet që i ndërton në pronën që i dhuruan shqiptarët Gratis. Pasi u premtoi se do investonte 2 miliard $.

Me pronësinë dy deteve dhe urës Tranzitit Ballkanik, Bregdeti dhe Trualli është i gjithi i Vyer, që nuk ka nevojë për dhurimin e pronës, për të siguruar financimet. Por ligji i duhet Pashallarëve për t’u lëpirë, servilosur, mburrur e shitur pasuritë kombëtare, duke humbur identitetin para të huajve. Vetëm e vetëm për të qëndruar gjatë në pushtet. Veti morale e ngjizur që nga regjimi otoman. Investitorët nuk vijnë se mungojnë projektet.

Me bunkerët e ferrave ose paçavuret arkitektonike, që nuk kanë lidhje me turizmin elitar të Sazanit, u shpall Jared Kushneri Investitor Strategjik. Djathtas kompania strategjisë Sazanit. Sa i thjeshtë është Pronari i Shqipërisë. Dalë me kalamajtë e strategjisë Kushnerit, që premtoi se do investojë 1,4 miliard $, po më kaloni sa më parë pronësinë e Sazanit.

Është fatkeqësi që gazetarë, analistë, specialistë apo ekonomistë mendojnë se Jared Kushneri apo Muhamed Alabbari do investojnë miliarda dollarë për ndërtimin e resorteve luksoze në Sazan, apo në portin e Durrësit. Ata nuk kanë asnjë arsye dhe nuk ka asnjë nevojë të harxhojnë paratë e tyre për ndërtimet turistike shqiptare. Kontradita ndodh se kompanitë shpallen Investitorë Strategjikë me projekte dhe premtime fiktive, ndërsa mbasi marrin Statusin, Pronësinë, dhe benefitet e tjera, realizojnë projektet, premtimet dhe Mega-Fitimet duke menaxhuar Pronësinë e përfituar gratis. Është njësoj sikur në Tiranë, t’i dhurosh truallin cilësor, lejet e ndërtimit, shmangien e taksave, për 10 vjet, një kompanie ndërtimi ose projektimi dhe t’i kërkosh të ndërtojë 100 pallate. Psh. Kushneri është shpallur me premtime dhe ca planimetri arkitekture që s’kanë lidhje me Sazanin.

Populli shqiptar ka përzgjedhur dy investitorë strategjikë. Me prokurë të veçantë, Muhamed Alabbarit ligji i ka dhuruar 160 ha ose portin e Durrësit me qëllim që të ndërtojë marinën e jahtëve, ndërsa Jared Kushnerit i ka dhuruar 70 ha ose 8% të ishullit Sazanit për të ndërtuar resortet luksoze. Bile i ka vënë në dispozicion edhe nga një kompani vendore të ndihmojë për të marrë sa më parë pronësinë, lejet ndërtimore, për të plotësuar infrastrukturën, që të mos paguajë taksat për 10 vjet etj. Ajo është shërbyese dhe aksionere e Investitorit, nëse ai del me Fitim.

Në dy rastet e mësipërme, investitorët strategjikë kanë marrë statusin me premtime jo kontraktuale. M. Alabbari pasi është bërë pronar i truallit, lejet e ndërtimit i ka të siguruara, po shet pallatet. Por nuk duken gjëkundi 2 miliard $ që premtoi para marrjes së statusit të investitorit strategjik. Nga sa kuptohet, ligji shqiptar, mbasi të shpallë Investitorin Strategjik me premtime, i dhuron pronën dhe shumë benefice të tjera. Duke stimuluar që investitori strategjik të sigurojë mega fitime.

Me 15 Janar 2025 Jared Kushner mori statusin e investitorit strategjik, për ndërtimin e një resorti luksoz duke premtuar se do të investojë 1,4 miliard $. Simbas ligjit, për kompanitë që premtojnë të investojnë mbi 500 milion Dollar, shteti është i detyruar të transferojë pronësinë e ishullit Sazanit, Jared Kushnerit, i cili mund të organizojë ndërtimin e resorteve të Sazanit sipas skemës së Muhamet Alabbarit në portin e Durrësit. Jared Kushneri do të bëhet pronar i truallit në Sazan dhe do të vazhdojë të trajtojë pronën e tij. Nuk bëhet fjalë për të investuar asnjë dollar në Sazan.

Pronari i truallit, Jared Kushner, së bashku me beneficet e përjashtimit nga taksat për 10 vjet, do të kontraktojë investitorë të tjerë në ndërtimin e resorteve turistike. Për të kuptuar sa do të investojë Kushneri në Sazan, të ndjekim skemën e investimeve të Alabbarit në portin e Durrësit.

Më 2 Dhjetor 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin Investitor Strategjik, me procedurë të veçantë për projektin (Durrës Yachts & Marina), si një projekt turistik me rëndësi strategjike për vendin. Projekti parashikon ndërtimin e rreth 13,000 apartamenteve, me 4,000 në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë, si dhe një port jahtesh që do të akomodojë 280 mjete lundruese luksoze. Që në kushtet kur baseni ujor detar është i ndërtuar, përpunimi dhe ndërtimi i portit të jahteve nuk kushton më shumë se 100 milion Dollar. Portet e jahteve janë më të thjeshta se portet turistike, sepse kanë numër më të vogël anijesh për t’u sistemuar.

Veprimet e Alabbarit në portin e Durrësit vërtetojnë se ligji shqiptar i investitorit strategjik të bën pronar legjitim, për të menaxhuar, shitur, blerë, tregtuar prona shumë cilësore shqiptare. Pretendimi se pronësia jepet, sepse nuk afrohen investitorë për të investuar në Shqipëri, nuk është i vërtetë. Bregdeti shqiptar në Jug të Adriatikut dhe në Veri të Jonit është i vetmi bregdet urban virgjër në Mesdhe. Por në vend që të tenderojnë projektet që mungojnë, japin gratis pronat. Me ndryshimet klimaterike, strehimi i popullsisë në vijën bregdetare deri në vitet 2100 është i detyruar të shkojë në 2,4 miliard ose 30% të popullsisë totale.

Prezenca e një rruge bregdetare nga Durrësi në Malin e Robit evidentoi ndërtimet intensive dhe të diferencuara të qytezave bregdetare. Dhënia e pronës bregdetare për arsye të ndërtimeve elitare nuk justifikon dhënien e pronësisë pa kontrata kontraktuale. Baza e turizmit është turizmi masiv bregdetar. Pa përjashtuar ndërtimet e fokusuara elitare.

Simbas Ligjit, Muhamed Alabbari është pronar i Truallit dhe Basenit të portit Durrësit, me infrastrukturë të plotësuar nga shteti shqiptar. Si pronar legjitim, ai po ndërton dhe po shet apartamente, pa asnjë detyrim ndaj shtetit shqiptar. Aktualisht, investitori strategjik nuk ka investuar dhe nuk do të investojë asnjë dollar në të ardhmen. Kur të mbarojë shitjen e apartamenteve, ai do të ndërtojë portin e jahteve.

Në pyetjen që Grida Duma bëri gjatë intervistës Alabbarit, se ku do t’i investoni 2 miliard dollarë, ai u përgjigj se po financoj projektet me projektues australianë. Pa shpjeguar cilët projekte. Duke qenë se Alabbari nuk ka qenë korrekt me premtimet se do të investonte 2 miliard $, arabët nxorën në skenë dhëndrin e presidentit të Amerikës, Jared Kushner, për t’u shpallur investitor strategjik me premtimin se do të investojë 1,4 miliard dollarë, duke bashkëpunuar me kompanitë arabe.

Pamjet e ndërtimeve bunker në Ishullin e Sazanit nuk kanë lidhje me ndërtimet reale që do ndërtohen në Sazan. Ato janë pamje arkitekturore të ngjitura në relievin e Sazanit, pa ndonjë kosto studimore. Ndërsa planimetritë e ndërtimeve dhe liqeneve në kodrinat lineare të Zvërnecit, edhe ato, nuk kanë lidhje me terrenin bregdetar midis lagunës dhe detit. Ato janë prezantuar për të fituar statusin e investitorit strategjik. Emisioni “Opinion”, i dhënë më 20 Maj në Klan, ishte i dobët.

Arkitekti i Jared Kushnerit fliste për bukuritë dhe benefitet natyrore të Sazan-Zvërnecit, por nuk fliste për projekte konkrete; ishte më shumë një tregtar projektesh perspektive. Nga pamjet e projektit, Kushneri është interesuar për zonën urbane të Sazanit, rreth portit, aty ku jetuan ushtarakët gjatë regjimit socialist.

Në disa pamje jepen dhe grupe kuaj. Në Sazan nuk ka hapësira për mbarështim kuajsh apo katarakte. Vlen të theksohet se Kushneri do të përdorë 70 ha. Në deklaratat për sipërfaqen e ndërtimit flitet për 45 ha, por do t’i vihet në dispozicion 8% e ishullit Sazanit, ose 70 ha. Lojërat nuk mbarojnë. Vetëm në Shqipëri mund të gjesh ligje që shpallin pronar trualli dhe pa taksa 10-vjeçare një investitor të huaj, pa kontrata që detyrojnë dhe ekuilibrojnë pronën e dhuruar.

Nëse në portin e Durrësit do ndërtoheshin apartamente, shteti shqiptar do të shpallte një tender projektesh për pallate të bukura dhe do të tenderonte ndërtimet. Përse duhet ta bëjë këtë aktivitet Alabbari? Ligji i investitorit strategjik është jashtë çdo interesi kombëtar aktual dhe perspektiv të vendit.


ÇFARË PËRFAQËSON ISHULLI SAZANIT?
(40°29’39” Nord, 19°16’42” Est. Temperatura mesatare: 16,2° gradë.)

Ishulli Sazanit është thellësisht i gjelbëruar në gjithë perimetrin dhe altimetrinë e ishullit. Është një rast i rrallë në ishujt detar. Struktura e ishullit ka një veshje argjilore natyrale që siguron gjelbërimin. Studimi ka realizuar një studim kompleks për gjithë ishullin, i cili nënkupton studimin gjeologjik, topografik, urban, elektrik, ujor dhe arkitektonik.

Duke filluar nga relievi topografik në shkallë deri në 1:10,000. Studimi topografik lejon të realizohen të gjitha studimet urbane. Në vijim japim disa informacione e koncepte teknike, në ndihmë të investitorëve strategjikë që do realizojnë ndërtimet turistike në ishullin e Sazanit.

Pavarësisht se investitori do të investojë në 8% të sipërfaqes së ishullit, studimet e infrastrukturës rrugore, urbane, elektrike, hidrike, balneare, mjedisore, portuale dhe kabllore duhet të kryhen për gjithë ishullin. Sepse, në perspektivë, do të vijnë investitorë të tjerë.