Hapen aplikimet për menaxhimin e stacioneve të plazhit, do të përfitojnë vetëm hotelet

Hapen aplikimet për menaxhimin e stacioneve të plazhit, do të përfitojnë vetëm hotelet

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hapur më 15 nëntor aplikimet për menaxhimin e stacioneve të plazhit për vitin 2025. Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare pak javë më parë aplikimet do të kryhen vetëm nga strukturat akomoduese që ndodhen në vijën e parë të plazhit apo në afërsi.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka bërë me dije se aplikimet do të bëhen vetëm online në E-Albania.

Pas një pune të gjatë me stafin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe bashkitë, sollëm edhe përmirësimet ligjore që garantojnë dyfishimim e hapësirave publike dhe shpërndarjen e tyre në gjithë vijën bregdetare. Ky vit vjen me një ndryshim të madh, ku vetëm strukturat hoteliere mund të menaxhojnë përkohësisht parcelat e plazheve”, është shprehur Kumbaro.

Sistemi do të qëndrojë i hapur për 30 ditë për të garantuar një proces të barabartë dhe transparent, shtoi ministrja. Të gjitha subjektet e interesuara mund të kryejnë aplikimin e tyre në portalin E-Albania duke kërkuar shërbimin “Aplikim për ushtrimin e veprimtarisë së stacion plazhi”.

Hartat e plazheve u miratuan në fillim të muajit nëntor gjatë mbledhjes së Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik. Sipas ministrisë, me rregulloren e re lirohen rreth 675 parcela plazhesh.

Parimi i kësaj rregulloreje të re është që menaxhimi i një stacioni plazhi nuk është arsyeja kryesore për të bërë biznes. Është një aksesor, një atraksion shtesë, një shërbim shtesë për një biznes të konsoliduar në fushën e turizmit ku aktiviteti kryesor është akomodimi. Kemi disa ndryshime thelbësore. Do të lirohen shumë më tepër hapësira, stacione plazhi për publikun, por të cilat do të menaxhohen, do të mirëmbahen nga bashkitë”, theksoi Kumbaro.