14-vjeçari që u kap me armë zjarri dhe një sasi municionesh në Vlorë ka dalë këtë të shtunë para gjykatës. Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” për të miturin me iniciale V.T..
I riu u mbrojt në sallën e gjyqit nga avokatja Xhoana Hyka, e cila pohoi në përfundim të seancës se gjykata e ka marrë këtë vendim mbi bazën e ligjit për të mitur ku 14-vjecari konsiderohet në moshë fare të vogël për të mbajtur përgjegjësi penale
“Gjykata u bazua tek kodi i drejtësisë penale për sa i takon masës së sigurimit nga ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’. Nuk mund të paragjykojmë punën e Prokurorisë dhe hetimet derisa Gjykata të japë një vendim përfundimtar. Mendojmë që vendimi i dhënë sot është një vendim i drejtë”, pohoi Hyka.
Ndërkohë, babai i 14-vjeçarit pas përfundimit të seancës gjyqësore falënderoi institucionet për bashkëpunimin që sipas tij kanë parandaluar një ngjarje kriminale, pasi edhe më herët ka deklaruar se ka qenë ai që informoi policinë për gjetjen e armëve nga djali i tij.
“Jam i tronditur edhe pse të tjerët e kanë marrë si lojë, mund të ndodhte një tragjedi. Falënderoj të gjitha organet për bashkëpunimin që arritën deri në këtë pikë. Kam një mesazh për të gjithë prindërit që tu rrinë afër fëmijëve, të komunikojnë dhe bashkëpunojnë me institucionet mësimore dhe policinë”, u shpreh babai i 14-vjeçarit
Vetë i mituri ka pohuar se pistoletën e ka gjetur në një godinë të braktisur dhe e ka mbajtur pasi me disa shokë kanë bërë video në mal për TikTok.