Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlorë ka bërë publike për Gjurmon.al të dhënat e fundit statistikore lidhur me stokun e çështjeve të mbetura, kohëzgjatjen mesatare të shqyrtimit, kapacitetet e gjykatës dhe ngarkesën për gjyqtarët.
Informacioni vjen në përgjigje të një kërkese të datës 16.01.2025, drejtuar kësaj gjykate.
Sipas informacionit zyrtar:
- Dosjet e mbartura: Aktualisht, janë 2074 dosje të cilat vijojnë të jenë në shqyrtim, të mbetura nga viti i kaluar.
- Kohëzgjatja mesatare:
- Për çështjet civile, procesi zgjat mesatarisht 263 ditë deri në përfundim. Pra afërsisht 8–9 muaj deri në përfundim. Në këtë kategori përfshihen shumë lloje padish (pronësore, familjare, kontratash, etj.), të cilat mund të jenë më komplekse dhe të shtrihen në disa faza procedurale.
- Për çështjet penale, mesatarja e shqyrtimit është 101 ditë. Pra rreth 3 muaj. Procedurat penale mund të jenë më të shpejta, sidomos kur provat janë të qarta ose kur organi i akuzës (Prokuroria) ka përfunduar hetimet paraprake pa komplikime.
- Kapaciteti i Gjykatës: Në këtë gjykatë veprojnë 13 gjyqtarë, nga 16 që janë të parashikuar në strukturën organizative. Pra tre gjyqtarë në mungesë.
- Ngarkesa mesatare: Secili gjyqtar shqyrton rreth 370 dosje në vit. Ky fluks mund të cilësohet si mbi mesataren e ngarkesës. Nuk dihet se si ky volum i lartë pune për çdo gjyqtar ndikon në cilësinë e vendimeve.
Me një stok prej 2074 dosjesh të mbartura nga viti i kaluar dhe një mangësi të tre gjyqtarëve në strukturën organizative, realizimi i proceseve brenda afateve optimale duket se do të mbetet një sfidë e vazhdueshme.
Këto shifra vijnë në një kohë kur harta e re gjyqësore ka hyrë prej muajsh në fuqi dhe u premtua që do zgjidhej ngërçi i dosjeve të mbartura, por siç duket sërish “back log” vijon të jetë i lartë.