Shpendët e egër ujor në lagunën e Nartës janë rralluar për shkak të gjuetisë së paligjshme. Gjatë muajve të verës shumë herë janë raportuar raste të gjuetisë së paligjshme, por situata ende nuk po merr zgjidhje.
Ambientalistët i kanë bërë thirrje Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe Policisë së Shtetit ta ndalojnë kategorikisht gjuetinë në zonë të mbrojtur, siç është Narta, por thirrjet e tyre nuk janë dëgjuar.
Gjuetia e shpendëve nuk është sport në Vlorë por biznes. Gjahtarët e paligjshëm i shesin rosat e egra në restorantet e qytetit bregdetar.
Sipas Censit të kryer në Janar të 2024-ës, Narta popullohet nga 11 mijë shpendë, mes tyre flamingot, pelikani kaçurrel, dallëndyshja e detit, etj. Pjesë kyçe e korridorit të shtegtimit të Adriatikut Lindor, Peizazhi i mbrojtur Vjosë – Nartë është një nga ekosistemet më të rëndësishme ne vend.