Selenica është një bashki relativisht e vogël në qarkun e Vlorës, ku në përbërje të saj është qyteti që mban të njëjtin emër dhe me gati 50 fshatra. Teksa një pjesë e madhe e fshatrave vijojnë të hedhin mbetjet në përrenj, lumenj apo i grumbullojnë në gropa pa asnjë standard, vetë qyteti i Selenicës ka një fushë mbetjesh, e cila menaxhohet nga autoritetet vendore.
Pamjet që shihni janë xhiruar ditën e shtunë, ku një vatër zjarri dukej që larg në horizont. Prej orësh të tëra mbetjet u dogjën dhe askush prej autoriteteve vendore nuk ndërhyri.
Kjo vatër zjarri nuk ishte e vetmja e ditëve të fundit, pasi banorët e zonës pohuan se flakët ishin vërejtur edhe në ditët e para të dhjetorit. Autori i zjarr vënies ende nuk dihet.
Por zjarri ishte problemi më i vogël në këtë fushë mbetjesh. Pavarësisht se Bashkia Selenicë ka autorizuar kompanitë e mbledhjes së mbetjeve që t’i grumbullojnë plehrat në këtë vend, mungojnë të gjitha kushtet për t’u konsideruar një landfill.
Mbetjet hidhen pa asnjë kriter, ku për ndarje në burim nuk mendohet fare. Reshjet e shiut gjatë dimrit shtojnë edhe më shumë problemin, ku ndotja përhapet në zonat përreth nëpërmjet ujërave që rrjedhin nga kjo fushë.