Fusha e mbetjeve në Orikum, Bashkia Vlorë “ngre supet” dhe kalon përgjegjësinë tek privati

Fusha e mbetjeve në Orikum, Bashkia Vlorë “ngre supet” dhe kalon përgjegjësinë tek privati

Në datën 22 maj 2024, në adresë të Bashkisë Vlorë mbërriti një kërkesë për informacion me 4 pyetje. Të gjitha pyetjet lidheshin me fushën e mbetjeve në Orikum, landfill i cili vijon të krijojë shqetësimet tek banorët e qytetit.

Sipërfaqja e madhe me plehra që kundërmojnë erë te keqe, nuk po administrohet prej askujt dhe qytetarët e vetë bashkia vetëm shtojnë malin me mbetje.

Premtimi për zhdukjen e fushës së mbetjeve dhe incenerimin e tyre që do të niste në vitin 2021 duket se ka mbetur vetëm në letër, pasi situata vijon të jetë e njëjtë edhe sot.

Landfilli i Sherishtës ka mbetur në vendnumëro që prej sekuestrimit të kompanisë “Integrated Technology Services” me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe arratisjes nga drejtësia të pronarit të saj, Klodian Zotos, i dënuar dy herë nga gjykata për korrupsion dhe pastrim parash.

Bashkia Vlorë duket se është dorëzuar përballë kësaj situate, pasi shprehet se “pastrimi i Njësisë Administrative Orikum kryhet me operatorë privatë të kontraktuara nga Bashkia Vlorë. Sistemimi i fushës së mbetjeve bëhet po nga ky operator”.

Lidhur me këto pyetje që i janë drejtuar Bashkisë Vlorë, “cilat qenë shkaqet që procesi i incenerimit të plehrave në Orikum nuk ndodhi? Kur pritet të fillojë? Cilat janë instancat përgjegjëse që do merren me procesin? A është zhvilluar procedurë prokurimi për grumbullimin dhe incenerimin e plehrave?”, ky institucion “ngre supet”.

Ndërmarrja e Shërbimeve publike Vlorë nuk ka informacion zyrtar mbi pyetjet që keni ngritur ju”, është kjo përgjigja zyrtare e Bashkisë Vlorë.