Në rrugën Pelivan Leskan në qytetin e Vlorës ndodhen përballë njëra-tjetrës dy institucione arsimore, shkolla “Avni Rustemi” dhe kopshti “1 Maji”. Ndarja e tyre bëhet vetëm nga rruga, e cila nuk është në gjendjen e saj më të mirë.
Ndërhyrjet për linjën e re elektrike të ndërtimeve në zonën rreth portit kanë dëmtuar trotuaret, të cilët ende nuk janë kthyer të paktën në gjendjen e mëparshme, por dëmtimet nuk janë ndalur me kaq.
Siç mund të shihet nga fotot e mëposhtme, edhe punimet për ujësjellësin e ri kanë shkaktuar dëmtim të rrugës. Fiks në hyrjen e shkollës është krijuar një kanal, i cili në ditët me shi kthehen në problem serioz për nxënësit që hyjnë e dalin nga shkolla e tyre.
Punonjësit e bashkisë më kot janë munduar që të mbushin kanalin me çakëll, pasi shpeshtësia e mjeteve që kalojnë aty krijon sërish gropën në hyrje të këtij institucioni arsimor.
Prindërit e nxënësve që dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, por edhe në kopsht ankohen për këtë problem, por duket se ende nuk po zgjidhet.